Përsiatje për vëllimin poetik “Si ta ndaloj kohën” të poetes Ymrije Beqiri

Kultura

Përsiatje për vëllimin poetik “Si ta ndaloj kohën” të poetes Ymrije Beqiri

Nga: Zymer Mehani Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 08:22
Kopertina e librit

Ymrije Beqiri si poete tanimë njihet nga lexuesi ynë me një varg veprash letrare. Tani, ajo vjen me vëllimin poetik të radhës “Si ta ndaloj kohën” me poezi temash e motivesh të ndryshme.

Kryemotiv i poezive të këtij vëllimi është atdhedashuria. Vërehet evoluimi i poetes si përnga përmbajtja estetike, po ashtu edhe përnga realizimi artistik i vargjeve, si dhe hetohen përpjekjet e saj për ta zgjeruar horizontin krijues, duke e formësuar më mirë botëkuptimin e duke u dhënë vargjeve kuptim më të qartë. Ajo shquhet me përfytyrim të pasur poetik, duke na sjellur nota të reja dhe të freskëta të vargut poetik.

Poetja Ymrije Beqiri në poezitë e vëllimit në fjalë ka vjelur nga historia tema për figura dhe ngjarje të rëndësisë kombëtare, siç janë poezitë PËR NJË DIJETAR (kushtuar Mulla Asllanit), RRUGËTIMI I HEROIT (kushtuar atdhetarit Musa Hoti), PREKAZIT (kushtuar Prekazit, vendlindjes së JASHARËVE LEGJENDARË), PREKAZI ME TRIMA (kushtuar atdhetarit Bajram Zenë-Mehanjt), NË KULLAT TONA (kushtuar heroizmit të trimave shqiptarë) etj. Duke pasur kujdes për formën, kjo autore niset nga frymëzimi, kur shtjellon dhe trajton tema konkrete, motive të qarta dhe mendim të kristalizuar, si në poezitë me motiv të kurbetit (VETËM PËR TY, MIRËMËNGJESI, VËLLAI IM, VITET IKËN, NË TRUALLIN E BABËS etj). Vargjet e poetes janë të mbushura me emocione dhe si të tilla, edhe me rrjedhën e mendimit, me ritmin dhe me frymëzim të plotë, që te ne lënë mbresa të thella.

Autorja Ymrije Beqiri ka bërë përpjekje serioze për ta skalitur vargun, prandaj poezitë e saj kanë dalë të bukura dhe emocionante, ngase ajo ka prirje për të kapur gjëra të thjeshta, të zakonshme, duke mos i shpëtuar asgjë syrit të saj, duke tentuar që ta përpunojë vargun, duke e pasuruar me nuanca të reja.
Formimi i stilit të poetes Ymrije Beqiri sa vjen e sëndertohet, ngase është ndikuar nga konsekuencat e veçanta të rrugëtimit të saj, që kanë rëndësi të jashtëzakonshme, sepse këto e dërgojnë drejt sukseseve si artiste e fjalës poetike. Vargu i saj është ndërtuar me figuracion të bollshëm poetik (me krahasime, metafora, hiperbola etj) dhe me gjuhë të pastër, të kuptueshme, pa krahinarizma a barbarizma. Kryesisht është një gjuhë shprehëse e mendimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat