​Nis Java e Frankofonisë

Kultura

​Nis Java e Frankofonisë

Më: 13 mars 2022 Në ora: 18:42
Java e Frankofonisë

Nga sot e deri më 20 mars do të mbahet edicioni i 22-të i Javës së Frankofonisë, e cila mbahet nën përkujdesjen e Ambasadës së Francës dhe partnerëve të saj.

Në hapje të kësaj Jave, Marie-Christine Butel, ambasadore e Francës në Kosovë, tha se nga viti i kaluar Java e frankofonisë quhet "Atmosferë", pasi sipas saj kjo i jep kuptim këtij projekti.

"Nga edicioni i vitit të kaluar kemi dashur që Javën e Frankofonisë ta quajmë Atmosferë dhe po duket që po shqiptohet në shumë gjuhë të tjera dhe çka i jep kuptim projektit të përbashkët. Java e frankofonisë mat pulsin e shoqërive duke i huazuar vlerat tona të përbashkëta. Muaji mars në mitologjinë greke ka qenë zoti i luftës dhe sot këtu themi se muaji mars duhet të jetë muaji paqes, dialogut dhe pranimi i diversitetit. Ky program ka filluar të ngjizet në Prishtinë dhe po vazhdon në Prizren dhe në vitet e tjera do të vazhdojë në qytetet e tjera," tha ajo.

Thomas Kelly, ambasador i Zvicrës në Kosovë, tha se gjatë kësaj Jave do të mbretërojë atmosfera festive dhe teatrale.

"Zvicra merr pjesë në programin e frankofonisë, e cila ndan vlerat për të jetuar së bashku, dhe përshëndes vendimin e Kosovës për të promovuar demokracinë dhe paqen. Dëshiroj të uroj Kosovën në lëvizjen olimpike. Kjo i mundëson Kosovës dhe sportistëve të saj të mbrojnë ngjyrat e shtetit në garat ndërkombëtare. Më 15 mars në Prizren do të shihni muzeun historik të Lozanës," tha ai.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku tha se programi i Javës së Frankofonisë është i kuruar me shumë kujdes.

"Jam i lumtur që jam prezent në njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme për artin dhe kulturën në Kosovë. Në kuptimin e zhvillimit kulturor ky është një vit shumë i rëndësishëm për Kosovën", tha Çeku.

Aktivitetet me rastin e Javës së Frankofonisë në Kosovë, mbahen në partneritet me Grupin e ambasadave frankofone në Kosovë, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit, atë të Kulturës, Aleancën Franceze të Prishtinës, dhe partnerë të tjerë nga Kosova dhe Franca.

Ndryshe, Kosova që nga viti 2014 është anëtare e Organizatës Botërore të Frankofonisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat