​Traditat e Krishtlindjeve në Bosilegrad

Kultura

​Traditat e Krishtlindjeve në Bosilegrad

Më: 7 janar 2023 Në ora: 17:58
Foto ilustrim

Në zonën e Bosilegradit, e njohur për komunitetin e saj të madh bullgar, nata e Krishtlindjeve u shënua edhe një herë solemnisht më 6 janar në Kishën e Lindjes së Shën Mërisë në Bosilegrad, në kishën Ngjitja e Jezusit në fshatin Raychilovtsi dhe në Kishën e Shën Gjonit të Rilës në fshatin Paralovë. Për vendasit, nata e Krishtlindjeve është një nga festat më të shenjta dhe traditat e lashta respektohen në mënyrë rigoroze.

Më 6 janar, në prag të Lindjes së Jezusit, njerëzit agjërojnë. Dita e festës i kushtohet shtëpisë dhe familjes, të cilët mblidhen për darkë për të pritur Krishtlindjen.

Sipas traditës në Bosilegrad, herët në mëngjes i zoti i shtëpisë shkon në pyll për të prerë një copë të madhe nga një lis i quajtur “budnik”, të cilin e djegin për nder të lindjes së Jezusit. Dita kalon duke përgatitur ushqime të shumta për darkën familjare. Nata e Krishtlindjes shënon fundin e agjërimit 40-ditor për Lindjen e Krishtit.

Ushqimet e përgatitura për darkën e Krishtlindjes duhet të jenë me numër tek (shtatë, nëntë ose njëmbëdhjetë). Në tavolinë tradicionalisht ka sarma (rolla të lakrës të mbushura me oriz), fasule të ziera, peshk, pite me mbushje kungujsh, fruta të thata dhe ndër të tjera ka verë. Çdo ushqim simbolizon diçka të rëndësishme.

Mesi i tavolinës është i rezervuar për një bukë rituale, me një monedhë brenda saj, të cilën i zoti i shtëpisë e ndan. Pjesa e parë është për shtëpinë dhe të tjerat i jepen çdo pjesëtari të familjes, duke filluar nga më i madhi e duke përfunduar te më i vogli. Besohet se personi që merr copën me monedhën brenda, është personi më me fat në shtëpi.

Sipas traditës të gjithë qëndrojnë në tryezë derisa të mbarojë darka. Çdo familjar duhet të provojë secilën pjatë për të pasur një vit të suksesshëm. Në fund, të gjithë thyejnë nga një arrë: nëse arra është plot do të thotë se ai person do të jetë i shëndetshëm.

Pas darkës, tavolina nuk pastrohet në mënyre që fati të mbetet. Besohet se kur familja shkon për të fjetur, të afërmit e tyre të vdekur vijnë për të ngrënë darkë.

Besohet gjithashtu se mënyra si do të kalojë darka e Krishtlindjes përcakton se si do të jetë jeta gjatë vitit të ardhshëm. Prandaj njerëzit dëshirojnë një natë të qetë dhe të shenjtë, dhe një festë të lumtur e të mbushur me dashuri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat