Një zemër që pulson nga malli i dashurisë

Kultura

Një zemër që pulson nga malli i dashurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 23:26

Pas vëllimeve poetike Heshtje në dy: heshtje në ne! (Ed. Citadela, Satu Mare, 2010), Mos mbyll sytë, Tatiana! (Ed. Eurobook, Jash, 2009) dhe Protest apokrif (Ed. Amanda Edit, Bukuresht, 2012), Patricia Lidia rivjen në vëmendje të lexuesve me antologjinë rumuno-shqiptare Në brigjet e kohës, falë përkthimeve të poetit të talentuar Baki Ymeri. Antologjia e përmendur markon evolucionin e lirikës së saj, që nga ekstazi ekspresionist/dionisiak i moshës së njomë, deri te meditimet e thella ndaj temave madhore të ekzistencës: maturia, dashuria, pleqëria, liria, kalimi i kohës, të trajtuara në mënyrë specifike. Vargjet shquhen për lapidaritet dhe ekspresivitet, duke u koncentruar mbi esencën e disponimeve shpirtërore. Nga një herë shqetsimet bëhen shkretëtimtare: „Rrugëve të shkreta të shpirtit/ Koha bredh e bezdisur –/ Jehona e heshtjes/ Na i grimcon mendimet...” (Katreni i shkretërimit)

Tema qëndrore ka mbetur dashuria, e shpaluar poetikisht mbi një paletë të gjerë, që nga përmbushje e deri në zhgënjim. Çdo qelizë e trupit të poetes përmban nga një zemër të vogël që pulson ndaj dashurisë së çiltërt dhe nga një flatër e vogël që pret të hapet drejt flatrimit erotik: „Në përpëlitje flatrash/ Rrjedh kaltërsia/ Nëpërmjet damarëve të pemëve/ Drejtpërsëdrejti në krahët e tu.” (E dashuruar). Patricia Lidia e parandjente fluturimin lirik që nga fëmijëria: „Kur isha e vogël/ Ëndërroja se mund të fluturoja.../ Flatrat m’u rritën më vonë/ Dhe ndjehesha e rëndë dhe plakë si Hëna,/ Një fije dëbore e pashkrirë mbi Tokë./ Dhe si një flutur e palindur/ U ngjita në qiell.../ Ndërkaq kërkova për tepër çaste/ Duke menduar se jam engjëll...” (Autobiografi)

Në vëllimet e para, përjetimet erotike ishin të dyfishta, engjëllore dhe djallëzore. Dashurinë e përmbushur e ndërpret një çast, kalimi i kohës. Sentimenti, ndërkaq, ofron edhe gjendje tjera të shumta shpirtërore: pritje, paqartësi, shqetsime, thirrje pa përgjigje, zhgënjime: “Të hesht?/ Ç’qetësi e hidhur.../ Të qaj?/ Ç’vdekje e padenjë.../ Të thirr banalisht një çast/ Çfarë përjetësie më shtyp?/ Furtunë e kotë/ E shpirtit të gulçuar.// Çfarë mbeti pas nesh?/ Zhdënjim i hidhur...” (Zhgënjim). Poetesha nuk mund të jetojë pa dashuri, dhe e kërkon me çdo kusht këtë dhuratë hyjnore. Krejt Universi duket si një shkrirje ndërmjet femërores dhe mashkullores (ying dhe yang). Nga vëllimi në vëllim, përfytyrimet erotike sublimohen, poetja duke refuzuar gjithnjë e më shpesh anën mishtore dhe duke apeluar në elemente subtile: drita, zjarri, qielli - pra në elemente të ngjitjes dhe përsosjes shpirtërore. Përmes këtij procedeu, ndjenja e dashurisë sakralizohet. Idealet e larta të paplotësuara sjellin shembje të pashmangshme. Në rastin e dashurisë, përmbushjet gëshetohen me zhgënjime.

Paralelisht me kalimin e kohës, jeta gjithnjë e më shumë duket si një ëndërr. Përkohshmëria e konditës humane ndjehet gjithnjë e më e mprehtë. Kalimi i papërsëritshëm i kohës shpartalluese provokon senzacionin e ftohjes së dimrit ontologjik, si dhe atë të trishtimit të pashmangshëm: “Valë dëbore/ E shtruar vit për viti/ Me hidhërim të rëndë/ I zbuloj me fytyrën tënde/ Duke kundruar në pasqyrë.” (Gjyshja). Nga një herë poetesha komunikon me idenë e zgjerimit: „Koha nuk më lë të flas./ Nuk dëshiron të flas./ hesht.// Heshtja ime e butë dhe e ftohtë/ Porsi dheu i brishtë o nxjerrë/ Nga një gropë/ E varrrit.” (Hesht). Tjetërherë jeta duket si një lojë e qeshje/qarjes, e rëndë, ironike, e ëmbël dhe e hidhur, e kapshme me nostalgji: „Zoti nuk po luan barbut –/ E humba fatin për tepër here në bafte/ Që ta fali.../ Fati im i ditëve të marta/ Ma vodhi kohën dhe vitet e çastin/ E prangosur në irisin e tij të butë/ Përjetë më plandosi për një çast.../ Një finale më e mire seç na jep jeta/ Gjatë shtigjeve të Rrugës së Qumshtit...” (Fati im i ditës së martë).

Poezia, nëpërmjet muzikalitetit të brendshëm dhe iluzionit të pashmangshëm, ekuilibron përkohshmërinë e jetës. Fjalët e diellëzuara e mbrojnë gjatë rrjedhës së tërë ditës, që nga lindja deri në perëndim. Madje, edhe nëse dashuria fanitet nganjëherë e mbuluar me një startim të përhirtë, një etje e hatashme për jetë mund ta ndezë në çdo çast me një përbujshmëri të madhe. Toni kolokvial, adresimi i drejtëpërdrejtë, sinqeriteti i shprehjes, e joshin lexuesin. Stili i autores reflekton një ngashnjim të meritueshëm. Patricia Lidia vazhdon të mbetet, edhepese herë pas here e trishtë, një misionare e Dashurisë.

BOX

Patricia Lidia u lind më 19 maj 1987 në qytetin e bukur Oradea. Vitet e fëmijërisë i ka kaluar nën mburojën e gjyshërve, në brigjet teleormanene, në Zimniçenë e ngrohtë. Vitet e shkollës ia kanë prekur përfytyrimin e një luftëtari të madh e të palodhur për të drejtat e rumunëve të Transilvanisë, duke ndjekur shkollën “Emanuil Gojdu” që mban emrin e këtij atdhetari. Pastaj, fati ia pat drejtuar hapat drejt qytetit që tashmë e konsideron si shtëpinë e saj, Timishoara. Inzheniere e telekomunikacioneve, inzheniere e elektronikës biomedikale... në kohën e lirë, e pasionuar ndaj letërsisë... por, mbi të gjitha ndaj artit për të qenë grua... Imagjinata e pasur i ka dhuruar inspirim për të publikuar 6 vëllime personale me poezi dhe teatër, 22 vëllime me poezi për fëmijë, por edhe për të qëndruar pranë krijuesve të tjerë në mbi 30 vëllime kolektive. Ka debutuar në revistën „Ateneu” që del bë Bakëu, si dhe në antologjinë e Editurës së Fundacionit Kulturor Cancicov, me rastin e përfitimit të çmimit që ia pat ofruar revista respektive në kuadrin e Festivalit-Konkurs Kombëtar për Poezi „Avangarda XXII”, edicioni i VI-të, më 2006. Në mbarim të këtij viti ka themeluar shoqatën Asociaţia Bastionul ArtLitTim, që ka për qëllim kryesor promovimin e arteve për fëmijë dhe të rinj. Patricia Lidia është autore e një numri të konsideruar reçensionesh kushtuar disa poetëve tanë nga Kosova dhe diaspora shqiptare, kurse kohëve të fundit ka përkthyer në gjuhën angleze poezitë e Lulzim Tafës nga Kosova, dhe Ramiz Kuqit nga Norvegjia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat