Pas ngujimit 56 orësh, banorët e Kumanovës mbushën sot rrugët e qytetit

Kumanova

Pas ngujimit 56 orësh, banorët e Kumanovës mbushën sot rrugët e qytetit

Më: 6 prill 2020 Në ora: 22:09
Kumanovë

Kumanova e mbushur përplot me njerëz. Me të zbardhë dita e së hënës, të gjithë përnjëherë dolën të kryejnë obligimet e tyre. Blerjet bëhen në shpejtësi, radhë të gjata para tezgave ambulante. Tregu i gjelbër është i mbyllur dhe qytetarët nuk pyesin më për çmimet që kanë filluar të rriten. Me nxitim shkojnë edhe nëpër barnatore, por jo çdo herë mbajnë distancën e rekomanduar. Disa shprehin revoltë ndaj autoriteteve për masat rigoroze.

“A i kanë kushtet këta njerëz në shtëpi për të ngrënë kur të mbyll dikush, a duhet të ju çoj ushqim shteti! Për sëmundjen nuk ka besim të këta, nuk ka as sëmundje, nuk e dimë çfarë interesi ka shteti.”

“Vetëm disiplinë, çfarë u thënë duhet të zbatohet. Kjo është në interesin time dhe të gjithë të tjerëve. Unë i respektoj masat për të tjerët nuk di, ka individë që nuk duan të dëgjojnë për këto rekomandime.

“Jo për Zotën, nga ushqimi dobët jemi, por çfarë të bëjmë, duhet të kalojmë disi. Mirë janë këto masa nëse është vërtetë kështu situata. Duhet të ruhemi mos ti marrim në qafë fëmijë dhe njerëzit tjerë.”

Situatë e ngjashme ishte në gjitha pjesët e qytetit. Raftet e shitoreve zbrazen shpejtë, sidomos të ushqimeve bazë. Para bankave, duhej ndërhyrja policore për të mbajtur radhën në distancë.

“Të rrepta po, por janë të nevojshme. Duhet të jemi të vetëdijshëm se masat duhet të respektohen që të ulim sa të mundim këtë infektim.”

“Në vend se të bëhet mirë, u bë më keq. Shikoni çfarë çmendurie. Nuk mund të jetë më mirë, do bëhet edhe më keq kështu.”

“Nuk i respektojnë masat romët, ka shumë të sëmurë që fshihen, frikësohen se mos i mbysin. Nuk di çfarë të them tjetër, por ka shumë romë të sëmurë që nuk dalin. Nëse dikush infektohet askush nuk do të na shohë sepse nuk kemi para, do t’i mjekojnë vetëm të pasurit.”

Nga Shtabi Komunal për mbrojtje dhe shpëtim thonë se shpërndarja e pakove me ushqimet bazë bëhet për rastet sociale. Sipas shtabit ndalimin e lëvizjes së qytetarëve nuk ndalohen edhe mallrat, ku porositë mund të bëhen për të distribuuar ushqimet nëpër shtëpi. Ndërkaq, dezinfektimi i rrugëve bëhej gjatë ditës.

“Ndonëse u vendosen si masë për spërkatjen automatike të automjeteve në çdo hyrje-dalje të qytetit, aktualisht as këtu e as në hyrjen tjetër jugore këto pajisje nuk punojnë.”

Pas orës policore 56 orëshe në fundjavë, banorët e Kumanovës do të jenë të mbyllur gjatë ditëve të punës që nga ora 16 e deri në orën 5 të mëngjesit. Të moshuarit mbi 67 vjeç nuk guxojnë të lëvizin nga ora 11, kurse të rinjtë nën 18 vjeç lirshëm mund të lëvizin nga ora 12 deri në orën 16.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat