Kosovë: Pasojat e pandemisë tek media

Lajme

Kosovë: Pasojat e pandemisë tek media

Më: 10 maj 2020 Në ora: 05:27
Foto ilustrim

 

Deri tani asnjë gazetar në Kosovë nuk është prekur nga koronavirusi, por puna e e mediave është prekur nga pandemia e cila sipas një studimi të Institutit të Medias ka zvogëluar deri rreth 80 për qind të ardhurat e tyre.

Safet Fazliu, hulumtues në këtë institut, tha se 38 për qind e kompanive të anketuara janë detyruar ta zvogëlojnë edhe numrin e punonjësve.

“Kemi 7.1 për qind që kanë deklaruar se pandemia ka ndikuar 1 deri ne 49 për qind në zvogëlim të të hyrave të tyre, 35.7 për qind kanë deklaruar se 50 deri në 79 për qind janë zvogëluar të hyrat e tyre, 80 deri në 89 për qind kanë deklaruar se 23.8 për qind zvogëluar të hyrat e tyre dhe 90 deri 100 për qind kanë deklaruar se 33.3 për qind ka ndikuar”, tha ai.

Për pasojë, zoti Fazliu tha se disa nga 92 kompanitë e anketuara, thonë se rrezikojnë të mbyllen.

“A rrezikon të mbyllet medium juaj për shkak të pandemisë Covid-19 ka qenë pyetja tjetër, ku 63 për qind janë përgjigjur se janë të rrezikuara dhe që nëse pandemia zgjat mund të rrezikohet operimi i tyre ose të pasojë edhe mbyllja apo pushimi i aktivitetit të tyre, 23 për qind janë deklaruar se ka gjasë të ndodhë, dhe 14 për qind janë deklaruar se nuk rrezikohet mbyllja e tyre si biznese”, tha zoti Fazliu.

Drejtori i Institutit të Medias, Fazli Veliu, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa shtesë për të ndihmuar mbijetesën e medieve, përfshitë edhe heqjen e taksës së licencës së operimit për vitin 2020.

“I bëjmë thirrje edhe një herë qeverisë së Kosovës që gazetarët të futen në një pako ndihmëse krahas personelit mjekësor, policisë dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve publike sepse në kohë pandemie edhe kolegët tanë në media janë në shërbim të publikut me qëllim të informimit dhe raportimit të drejtë”, tha zoti Veliu.

Sipas institutit asnjë gazetar në Kosovë nuk është prekur nga koronavirusi, i cili sipas të dhenave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ka prekur 862 persona, 28 prej të cilëve kanë humbur jetën ndërkaq 622 janë shpallur të shëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat