Këshilli serb i Sigurisë Kombëtare diskuton për situatën komplekse të sigurisë në Kosovë

Lajme

Këshilli serb i Sigurisë Kombëtare diskuton për situatën komplekse të sigurisë në Kosovë

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 14:35
Këshilli serb i Sigurisë Kombëtare

Serbia ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas së cilit takim, ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, tha se është diskutuar për situatën aktuale në Kosovë, cila, sipas tij, është vlerësuar si komplekse.

Më tej, Stefanoviq tha se nuk do të lejojnë “dëbim masiv të banorëve serbë në Kosovë e Metohi”, teksa shtoi se do të vazhdohet bashkëpunimi me KFOR-in.

“Diskutuam disa tema të rëndësishme dhe e para ishte situata aktuale në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Ne diskutuam për situatën komplekse për ne. Është komplekse në kuptimin politik dhe të sigurisë. Ne kemi konsideruar atë që organet tona shtetërore po bëjnë për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në territorin e krahinës jugore serbe”, tha Stefanoviq, raporton Tanjug.

“Dëshirojmë që në bashkëpunim me KFOR-in të mbrojmë edhe stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, të tregojmë se jemi partner kredibil, por edhe të tregojmë se nuk do të lejojmë kurrfarë dëbimi”, shtoi ministri serb.

Ai shtoi se qëllimi është që të ruhet siguria, para së gjithash, e popullatës serbe [në Kosovë]. Thotë po ashtu se situata në Kosovë është gjithnjë e më komplekse, dhe se ka situata të reja siç është urimi i presidentit amerikan për Ditën e Shtetësisë, për çka, sipas tij, “janë gëzuar në masë të madhe politikanët në krahinën jugore serbe, por assesi në Serbinë qendrore”.

Më tej, Stefanoviq theksoi se nevojat dhe investimet në forcat e sigurisë – ushtri, polici dhe shërbimin sekret – u diskutuan gjithashtu.

“Kemi analizuar se çfarë duhet të bëhet në periudhën e ardhshme, cilat janë investimet që duam të bëjmë këtë dhe vitin e ardhshëm në prokurimin e armëve moderne, të cilat do të mundësojnë që ushtria dhe policia të jenë të pajisura mirë, më të fortë dhe të aftë për t’u përballur me sfida të reja”, tha Stefanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat