​Demonstratat e vitit 1981 – parathënie e krijimit të identitetit të republikës në kuadër të ish-federatës jugosllave

Lajme

​Demonstratat e vitit 1981 – parathënie e krijimit të identitetit të republikës në kuadër të ish-federatës jugosllave

Më: 11 mars 2021 Në ora: 12:59
Foto ilustrim

Demonstratat e studentëve të vitit 1981 në Kosovë ishin parathënie e krijimit të identitetit të republikës në kuadër të ish-federatës jugosllave, pasi ishin pikënisje e një lëvizjeje erozive për shpërbërjen e Jugosllavisë federale dhe të një fryme nacionaliste për krijimin e shteteve të pavarura kombëtare.

Kështu u tha në konferencën ndërkombëtare “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë – sinjalizimi i botës për shkeljen e të drejtave njerëzore në Jugosllavi”, të organizuar nga Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez dhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”.

Aty vëmendje e madhe iu kushtua edhe gjenocidit dhe krimeve serbo-jugosllave në Kosovë.

Drejtoresha e Institutit Shkencor Kosovaro-Suedez, Salihe Salihu tha se se këto demonstrata ishin të nevojshme për ruajtjen e identiteti kombëtar, i cili po cënohej atë botë në kuadër të ish-federatës jugosllave. Teksa shtoi se prej protestave të studentëve u deshën dy dekada për të arritur lirinë.

Ajo tha se i duhet dhënë vëmendje më e madhe institucionale demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Salihu: U deshën dy dekada për të finalizuar kërkesën për republikën

“Demonstruesit paqësorë nuk u pritën me mjete paqësore, por kundër tyre u ushtrua një dhunë dhe një gjenocid, ku u deshën dy dekada për të finalizuar kërkesën për republikën, por tanimë Republikën shtet të pavarur. Prandaj, Instituti Kosovaro-Suedez konsideron se kjo ditë duhet të shënohet në gjithë Kosovën, por në veçanti nëpër konferenca shkencore, duhet t’i jepet hapësirë më e gjerë dhe vëmendje institucionale”, tha ajo.

Profesori Ibrahim Gashi foli për ndikimin e demonstratave studentore të vitit 1981 në formësimin e kulturës politike për shtet të pavarur, me ç'rast tha se këto demonstrata duhet parë si parathënie të krijimit të identitetit të republikës.

Gashi: Demonstratat e vitit 1981 çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë federale dhe në krijimin e shteteve të pavarura kombëtare

“Ky shpërthim i studentëve shqiptarë nuk erdhi si rezultat i represionit serb, por më tepër si shprehje e një vetëdijesimi kombëtar dhe të kulturës politike të shprehur përmes të drejtës demokratike përmes protestës, që Kosova të realizonte statusin e Republikës brenda federatës, i cili ishte pamundësuar me rrugë institucionale[...] Demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës duhet parë edhe nga një dimension tjetër, si pikënisje e një lëvizjeje erozive për shpërbërjen e Jugosllavisë federale dhe të një fryme nacionaliste për krijimin e shteteve të pavarura kombëtare”, tha Gashi.

Profesori Islam Qerimi prezantoi punimin “Krimet e shtetit serbo-jugosllav kundër shqiptarëve gjatë shekullit të XX-të”, në të cilin kishte mbledhur dhe analizuar projekte të regjimit serb për spastrimin etnik.

Ai tha se pushtuesit serbë përdorën mënyra nga më të ndryshme kundër shqiptarëve, teksa shtoi se për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë ka shumë fakte e dëshmi, të cilat po të përmblidhen do të shkruheshin libra të tërë.

Qerimi: Pushtuesit serbë bënë gjithçka kundër ushtarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi

“Pushtuesit serbë, politikanë, shkrimtarë, novelist, historianë, mësues, pedagogë e diplomatë, në bazë të udhëzimeve të kupolës të piramidës shtetërore serbe hartuan projekte, platforma, memorandume, programe, mbajtën tribuna të fshehta e të hapura, u tubuan në konferenca e forume shkencore, organizuan tryeza të rrumbullakëta në emër të Serbisë së vjetër, çuan mesha drejt qiellit, shenjtëruan luftëtarët serbë, shkruan libra, monografi, përplot mllefe ndaj ushtarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi”, tha ai.

Ndërsa profesori Bejtush Gashi, i cili prezantoi punimin “Veprimtaria dhe aktivitetet e pushtetit serbo-jugosllav në aspektin ushtarak në Kosovë, pas demonstratave të vitit 1981”, përmendi disa fakte për organizimin dhe kompetencat e Kosovës në organizimin ushtarak.

Ai tha se vetëm për rekrutët shqiptarë kërkohej formimi i 2 dosjeve, teksa shtoi se në ish-Jugosllavi serbët në numër ishin më të përfaqësuarit.

Gashi: Mbi ushtarët shqiptarë ushtroheshin metoda të sofistikuara të presionit psikologjik për shpëlarje të trurit

“Në strukturat udhëheqëse komanduese në ish-armatën serbët ishin të përfaqësuar me mbi 70 përqind të oficerëve në të gjitha nivelet, ndërsa në shërbimet sekrete dhe të ndjekjes penale ishin të përfaqësuar me mbi 90 përqind. Nacionalistët serbë duke shfrytëzuar aparatin shtetëror komunist, sidomos atë ushtarak kurrë nuk pushuan për t’ia ndryshuar pozitën dhe kufijtë e saj të përcaktuara me Kushtetutën e vitit 1974. Mbi oficerët dhe ushtarakët shqiptarë, që shërbenin në forca të armatosura dhe kundër tyre ushtroheshin metoda të sofistikuara të presionit psikologjik për të ndikuar në mënyrë direkte që ata të njiheshin si jugosllavë. Te oficerët shqiptarë përdorin metodat e ‘larjes së trurit’ që të bëheshin personalitete të besuara të regjimit sllavo-komunist”, tha ai.

Më 4 mars 1981, studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981.

Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.

Por përsëri, organet shtetërore ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, dhe ish-armata jugosllave pushtoi rrugët e Kosovës, dhe në tërë territorin u vendos gjendja e jashtëzakonshme, e më vonë edhe shtetrrethimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat