Vulini e falënderon Palestinën për qëndrimin rreth Kosovës

Lajme

Vulini e falënderon Palestinën për qëndrimin rreth Kosovës

Më: 29 mars 2021 Në ora: 15:35
Aleksandar Vulin dhe Mohammed Nabhan

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, ka zhvilluar sot një bisedë me ambasadorin e Palestinës në Beograd, Mohammed Nabhan.

Në takim, përpos diskutimeve për bashkëpunim mes dy vendeve, është diskutuar edhe për çështjen e Kosovës.

Vulini ka thënë se Serbia do të kundërshtojë çdo tentativë potenciale të Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol, ndërsa e ka falënderuar Palestinën për “qëndrimin parimor” në raport me çështjen e Kosovës, nga e cila ka kërkuar po ashtu që të votojë kundër Kosovës në Interpol.

“Ministri Vulin i ka thënë ambasadorit Nabhan se qëndrimi i Serbisë për sa i përket përsëritjes së kërkesës eventuale të Prishtinës për anëtarësim në Interpol është i pandryshuar dhe se Serbia me të gjitha forcat do të luftojë të pengojë tentimin eventual që e ashtuquajtura Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare policore, që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me thelbin e ekzistimit të kësaj organizate”, citohet të ketë thënë Vulini.

Ai i është falënderuar Palestinës “për qëndrimin parimor në respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Serbisë” dhe ka shtuar se pret që shteti palestinez edhe më tutje “të ketë mirëkuptim për argumentet e Serbisë kundër anëtarësimit të së ashtuquajturës Kosovës në Interpol”.

Në takim janë përmendur raportet e mira tradicionale miqësore mes dy popujve dhe për ndihmën që dy vendet ia kanë ofruar njëra tjetrës në “rrethana të rënda historike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat