Vlerësohet kontributi i artistit Ismet Bogujevci

Lajme

Vlerësohet kontributi i artistit Ismet Bogujevci

Më: 14 maj 2021 Në ora: 14:11
Homazhet

Familjarë, miq, bashkëpunëtorë, përfaqësues të institucioneve e qytetarë të shumtë kanë bërë sot homazhe pranë arkivolit të doajenit të muzikës popullore dhe folklorit shqiptar Ismet Bogujevci, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme.

Jeta dhe vepra e tij u vlerësua si e jashtëzakonshme, ndërsa vdekja e tij si humbje shumë e madhe për artin shqiptar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi ka bërë homazhe shpalosi kujtime nga fëmijëria që i kujtojnë edhe sot artistin Ismet Bogujevci.

Kurti: Ai ishte njëri tejet i mirë edhe i dashur

"Qysh si fëmijë teksa ndiqnim programin të Vitit të Ri me një mosdurim të gëzueshëm e prisnim këngën e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit. Në vegjëli se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton gryka e Kaçanikut’ të kënduar nga Ismet Bogujevci, e për Tefik Qangën shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj dhe i një partizani të luftës së dytë botërore kam ditur ta këndoj nga pak duke imituar Ismet Bogujevcin. Ai ishte njëri tejet i mirë edhe i dashur, por ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë, jo vetëm me brezin tonë por edhe me ata që do të vijnë pas nesh", tha ai.

Humbje të madhe për artin, kulturën e Kosovën e ka quajtur vdekjen e artistit Ismet Bogujevci edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili tha se vepra e të ndjerit do të jetojnë ndër breza.

Çeku: Bogujevci veprimtarinë e tij artistike ia dedikoi kombit

"Para rreth dy javësh kur e kishim takimin e fundit me z.Bogujevci dhe ku folëm për plane afatgjate për çështjen e Ansamblit Shota dhe për zhvillimin e përgjithshëm kulturor në Kosovë gjëja e fundit që do të më binte ndërmend ishte largimi i tij nga jeta. Por, kështu e paska dhe ne ndjejmë keqardhje që nuk do ta kemi njërin nga anëtarët e këshillit drejtues të Ansamblit ‘Shota’, njërin nga doajenët e muzikës popullore, një nga njerëzit më entuziastë të folklorit shqiptar në përgjithësi. Z.Bogujevci ka qenë shumë i veçantë për shumë arsye, po kryesorja ka qenë modestia e tij, një muzikant, një artist i jashtëzakonshëm por po aq modest, i cili tërë veprimtarinë e tij artistike ia dedikoi kombit, vendit të tij, popullit të tij dhe për asnjë moment nuk e komercializoi artin që e prodhoi me shumë zell e përkushtim", tha ai.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pasi ka bërë homazhe pranë arkivolit të Ismet Bogujevcit, tregoi edhe për planin që kishte pasur për t’i ndarë një shpërblim tashmë të ndjerit.

Bulliqi: Do të na mungojë shumë kjo ikonë e këngës shqipe

“Patëm planifikuar që gjatë kësaj vere ta bëjmë një organizim të veçantë për këtë ikonë të muzikës shqiptare dhe t’i ndahet një shpërblim sa ishte gjallë, po ja që fati që paska dashur kësisoj që ky u largua para kohe nga jeta dhe unë e kam besimin e plotë që si institucione lokale atë projekt të cilin e kemi nisur me miqtë e tij, me shokët e tij do ta realizojmë dhe ta çojmë në fund”, tha ai.

Vdekjen e artistit Ismet Bogujevci, familjarët e quajnë si humbje shumë të madhe. Familjarja e të ndjerit, Saranda Bogujevci, tha se janë të pikëlluar për humbjen e më të dashurit të tyre, por që shtoi se ishin me fat që e patën familjar.

Bogujevci: Jam me fat dhe një nder i madh që e kam pasur familjar

“Për mua ka qenë beja Ismet dhe jam rritur me bejën Ismet, por përveç vendit që e ka pasur në familje ka qenë natyrisht një person që ka lënë gjurmë tek secili, ka lënë gjurmë në vend. Është një person që jo vetëm se i ka dhënë kulturës së vendit po i ka dhënë kulturës dhe artit mbarëkombëtar. Ka qenë pjesë e kontributit tonë si vend karshi pjesës kombëtare. Mendoj që keni arritur të shihni reagimin, fjalët jo vetëm të komunitetit tonë artistik, po mbarëkombëtar dhe kjo e tregon më së miri jo vetëm kush ka qenë si artist Ismet Bogujevci, por edhe kush ka qenë si njeri. Ka lënë gjurmë në vend por ka lënë gjurmë edhe tek secili person që e ka takuar, ka qenë fjalë pak, punëtor, i dashur dhe për mua jam me fat dhe natyrisht është një nder i madh që e kam pasur familjar”, tha ai.

Ceremonisë së homazheve i parapriu parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit “Zahir Pajaziti”, e që u shoqërua nga familjarët e nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Artisti Ismet Bogujevci ka vdekur ditën e djeshme, ndërsa varrimi do të bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat