​Nisin punimet për renovimin e 143 banesave në Lipjan, synohet rritja e efiçiencës

Lajme

​Nisin punimet për renovimin e 143 banesave në Lipjan, synohet rritja e efiçiencës

Më: 28 qershor 2021 Në ora: 12:32
Lipjani

Në kuadër të projektit “Subvencione për Efiçiencë të Energjisë – SEEK”, implementuar nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MÇ), edhe në komunën e Lipjanit kanë filluar punimet për renovimin e tri objekteve banesore që përfshinë gjithsej 143 banesa.

“Subvencione për Efiçiencë të Energjisë – SEEK”, është projekt që përfshinë punimet për renovimin e ndërtesave nëpër shtatë komuna të ndryshme në Kosovë për efiçiencë.

Zëvendësambasadori i ShBA-së në Kosovë, Nicolas Giacobbe tha se ky program do të ndihmojë në zvogëlimin e kostos që familjet paguajnë për shfrytëzimin e energjisë, si dhe zvogëlimin e konsumit të përgjithshëm të energjisë te familjet në Kosovë.

Ai tha se ndihma e SHBA-ve në këtë drejtim ka për qëllim të vendosë bazat për një Kosovë sovrane, të qëndrueshme në forca të veta, e cila jo vetëm pranon përgjegjësitë e saj, por është një partner i barabartë në rajon,Evropë dhe botë.

Giacobbe: Përmes këtij programi zvogëlohet kostoja që familjet paguajnë për energji

“Sot programi i MÇ do të fillojë instalimin e izolimit. Kjo do të bëhet në tetë ndërtesa të banimit kolektive këtu në Lipjan dhe ky rikonstruksion do të sjellë ndryshimin. Qëllimi i programit është të arrijmë te 2500 familje në gjithë Kosovën deri në shtatorin e ardhshëm, është një synim ambicioz që unë jam i sigurt që ne mund ta arrijmë atë me partnerët tanë. Kështu që ky program do të ndihmojë në zvogëlimin e kostos që familjet paguajnë për shfrytëzimin e energjisë, si dhe zvogëlimin e konsumit të përgjithshëm të energjisë tek familjet në Kosovë. Për më tepër, kjo do të zvogëlojë shumën që banorët e Kosovës duhet të paguajnë për të ngrohur shtëpitë e tyre. Reduktimi i energjisë që ne konsumojmë, jo vetëm që na i ul faturat, por është një gjë e thjeshtë që qytetarët mund të bëjnë për të ndihmuar në luftën ndaj ndryshimeve klimatike”, tha ai.

Petrit Selimi, drejtor ezekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK) tha se në këtë projekt ku do të rinovohen 9 hyrje të disa ndërtesave të vjetra në Lipjan synohet të rritet efiçienca dhe të kursehet energjia elektrike.

Selimi:Në 9 hyrje do të investohet

“Gjithsej 9 hyrje janë të investuara me mjete të përbashkëta me një vlerë prej gjysmë milioni nga Fondi dhe një pjesëmarrje prej 30 për qind nga komuna. Partneriteti nuk ka qenë vetëm në mjete por edhe i ekipeve tona ashtu që më të vërtetë testohen mjetet më të mira që zbresin shpenzimin e rrymës do e rrisim efiçiencën elektrike dhe në këtë mënyrë Kosova do të sheh modelet më të mira se si në të ardhmen të kursehet sa më shumë energjia elektrike”, tha ai.

Sarah Olmstead, drejtoreshë ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MÇ) tha se efiçienca e energjisë nuk është vetëm çështje komoditeti dhe kosto shtëpiake, por edhe siguri për familjet, prandaj e cilësoi si të rëndësishëm nisjen e këtyre investimeve në komunën e Lipjanit.

Olmstead: Efiçienca e energjisë me të vërtetë mund të përmirësojnë shëndetin e lagjeve dhe komuniteteve

“Ne shpresojmë se mund të mësojmë shumë nga këto 25 ndërtesa që po rinovojmë. Pse kujdesemi për efiçiencën e energjisë? Epo, nuk mund të flasim për energji pa folur për ndotjen, emetimet e karbonit, dhe shumica e ndotjes vjen nga vendbanimet, gjatë djegies, kështu që efiçienca e energjisë me të vërtetë mund të përmirësojnë shëndetin e lagjeve dhe komuniteteve. Dhe kur jetoni në një shtëpi individuale dhe dëshironi të bëni përmirësime të efiçiencës është thjesht një çështje e kursimit dhe vendosjes për të bërë investimin, mirëpo është shumë më sfiduese kur bëhet fjalë për ndërtesa të banimit kolektiv”, tha ajo.

Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti tha se përfitues për renovim nga ky projekt janë 143 banesa të tri ndërtesave. Sipas tij, ky investim do ndikojë në mirëqenien e qytetarëve të Lipjanit, derisa dha zotimin se do kujdesën për mirëmbajtjen e këtyre investimeve.

Ahmeti:143 banesa në tri objekte do të rinovohen

“Një projekt jashtëzakonisht i vlefshëm për qytetarët e Lipjanit me ç’rast falënderoj gjithë partnerët që na kanë mundësuar që si Lipjan të fillohet me projektin e efiçiencës në kuadër të programit Sfidat e Mileniumit për Kosovë. Janë gjithsej 143 banesa në tri objekte të mëdha banesore që do jenë në renovim të tërësishëm është ndihmë e jashtëzakonshme për banorët e Lipjanit sepse normalisht që do ketë kursime të jashtëzakonshme të energjisë dhe do ndikoj në mirëqenien e qytetarëve të Lipjanit. Komuna bashkë me këshillat e banimit të këtyre objekteve banesore ka marr përsipër kujdesin e këtyre investimeve dhe mirëmbajtjen e këtyre investimeve”, theksoi Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat