Vuçiqi takohet me ambasadorin amerikan që doli kundër Kurtit

Lajme

Vuçiqi takohet me ambasadorin amerikan që doli kundër Kurtit

Më: 11 gusht 2021 Në ora: 15:30
Anthony Godfrey, dhe Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sot me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, një ditë pasi diplomati amerikan e kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për qasjen në dialogun.

Pas takimit, Vuçiq tha se marrëdhëniet serbo-amerikane janë në rritje.

“Kam pasur një bisedë të hapur dhe miqësore me ambasadorin amerikan Anthony Godfrey, në ambientin më të bukur të Beogradit”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Ai e ka falenderuar SHBA-në për mbështetjen, siç tha ai, për bashkëpunimin e vendeve të rajonit.

“Faleminderit amerikanëve për mbështetjen e bashkëpunimit të vendeve në rajon dhe integrimin ekonomik, që do të thotë përparim, si për Serbinë ashtu edhe për të gjithë të tjerët në mjedisin tonë”, tha Vuçiq.

Godfrey dje në një intervistë ka folur për dialogun Kosovë – Serbi. Ai tha se palët nuk mund të vijnë në tavolinën e bisedimeve me kërkesa e të mos kenë gatishmëri për kompromis, duke konsistuar kështu në katër pikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të parashtruar në Bruksel ndaj palës serbe.

“Pajtohemi të gjithë se duhet të ketë dialog produktiv mes Prishtinës e Beogradit dhe se nuk mund të vihet në tryezë me kërkesa e të mos ketë gatishmëri për kompromis. Çdo marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës do të kërkojë kompromis nga dyja palët dhe duhet të ketë gatishmëri të dyanshme për të biseduar. SHBA-ja mbështet dialogun e ndihmuar nga Bashkimi Evropian. Presim që të ec në drejtimin që Beogradi dhe Prishtina të bëjnë përparim në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Godfrey për “021.rs”.

Lidhur me projektin e “Ballkanit të Hapur”, ambasadori amerikan tha se kjo nismë shkon në dobi të rajonit.

“Jam i kënaqur që kam parë kohët e fundit hapa tutje drejt integrimit më të madh ekonomik rajonal, për t’iu treguar njerëzve se bashkëpunimi në rajon është për të mirën tyre, se e ardhmja e tyre është më e ndritur”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat