Flet avokati i Dardan Krivaqës, thotë se ai nuk e kundërshtoi paraburgimin

Lajme

Flet avokati i Dardan Krivaqës, thotë se ai nuk e kundërshtoi paraburgimin

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 11:46
Dardan Krivaqa

(E plotësuar 13:23) - Admir Salihu, avokat i të akuzuarit kryesor për vrasjen makabre të 18-vjeçares M.O., Dardan Krivaqa, ka thënë se klienti i tij nuk ka folur asgjë në paraqitjen e parë sot para Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Ndërsa po e presin vendimin e gjykatës për caktimin e paraburgimit, Salihu tha se klienti i tij nuk ka folur as me të dhe as nuk ka dhënë autorizim që ai si avokat të flasë në emër të tij.

“Ende po e presim vendimin e gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit. Klienti im nuk ka deklaruar asgjë. As me mua nuk ka folur. Në këtë fazë është mbrojtur në heshtje. Kurrgjë s’ka folë. As mua nuk më ka dhënë autorizim që të flasë për të. E ka shfrytëzuar të drejtën me u mbrojtë në heshtje”, tha Salihu.

Ai tregoi se Dardan Krivaqa nuk e ka kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

“Nuk e ka kundërshtuar paraburgimin. Çështjet tjera vijnë me kalimin e kohës”, tha avokati.

Në lidhje me gjendjen e keqe shëndetësore të Dardan Krivaqës, për shkak të së cilës u raportua se seanca u ndërpre për disa minuta, avokati Admir Salihu tha se mjekët kanë konstatuar se seanca mund të vazhdonte. Ai tha se nuk e di se çfarë problemesh shëndetësore pati klienti i tij.

“Gjendja e tij shëndetësore ishte ashtu e keqe, por mjekët konstatuan se mund të vazhdonte seanca. Nuk e di (çfarë problemesh ka pasur), sigurisht emociale. Ndoshta ka edhe raport mjekësor që d otë bëhet, por atë e merr gjykata”, tha avokati Salihu.

Dardan Krivaqa u dërgua sot për herë të parë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u mbajt seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij. Ai u arrestua dje në fshatin Dardani të Ferizajt dhe u dërgua i prangosur në stacionin policor të këtij qyteti, pak pasi aty afër u mbajt një protestë ndaj neglizhencës së institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës dhe vrasjeve të grave.

18-vjeçarja M.O. të dielën u dërgua dhe u la e vdekur në emergjencën e Ferizajt. Atje e çuan Dardan Krivaqa, me të cilin ishte e martuar, dhe Arbër Sejdiu, i cili u arrestua po atë ditë. Ndaj Arbër Sejdiut, Gjykata tashmë e ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Seanca ndaj Krivaqës/ Mjekët flasin për gjendjen e tij

Ka përfunduar seanca për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit kryesor për vdekjen e 18-vjeçares, Dardan Krivaqës.

Avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare i Krivaqës, Admir Salihu, ka thënë se mjekët që e kanë kontrolluar atë kanë konstatuar se ai është në gjendje të vazhdojë dhe seanca ka vazhduar.

Salihu ka thënë se është në pritje të vendimit të Gjykatës.

Kujtojmë se për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të dyshuarit Dardan Krivaqa, ishte ndërprerë seanca për caktimin e masës së paraburgimit.

***

Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të dyshuarit Dardan Krivaqa, është ndërprerë seanca për caktimin e masës së paraburgimit.

I njëjti ende nuk është shoqëruar për në emergjencë, por nga ekipet mjekësore është duke marrë ndihmën e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.K., më 22 Gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës M.O., me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Dardan Krivaqa është arrestuar dje si i dyshuari kryesor i vrasjes së 18-vjecares, M.O.

I arrestuar si i dyshuar për këtë rast është edhe Arbër Sejdiu që është arrestuar dy ditë më parë.

Ndryshe, 18-vjeçarja ishte dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Ferizaj pasditen e së dielës.

Viktima ishte dërguar aty nga Krivaqa dhe Sejdiu, të cilët më pastaj kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat