KOMF kërkon mobilizim për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve në procesin mësimor

Lajme

KOMF kërkon mobilizim për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve në procesin mësimor

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 12:46
KOMF kërkon mobilizim për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve në procesin mësimor

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka kërkuar mobilizim për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve në procesin mësimor.

Pas njoftimit të MASHTI-t për fillimin e mësimit me prani të nxënësve në shkolla, KOMF-i ka bërë thirrje për mobilizim, krijim të kushteve infrastrukturore në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së, respektim të masave dhe vaksinim të të gjithë mësimdhënësve, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve në procesin mësimor.

KOMF-i u ka bërë thirrje mësimdhënësve, të vaksinohen për shkak të ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm, me theks të veçantë shëndetit të fëmijëve.

Gjithashtu u është bërë thirrje DKA-ve, për krijim të kushteve infrastrukturore, dezinfektim të rregullt të shkollave dhe pajisje të shkollave me mjete dezinfektuese, si dhe monitorim të vazhdueshëm e rigoroz të zbatimit të masave për parandalimin e Covid-19.

“Nxënësve dhe mësimdhënësve, për zbatim të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19 duke bartur maskat, respektuar distancën fizike dhe mirëmbajtur higjienën, MASHTI-t për inspektim rigoroz të zbatimit të masave, MASHTI-t, komunave dhe shkollave për vënien e fokusit te shëndeti mendor i fëmijëve, angazhimin e psikologëve qoftë edhe përkohësisht në shkolla, me qëllim të përmirësimit të shëndetit mendor të fëmijëve, por edhe të mësimdhënësve, të rënduar nga pandemia Covid-19. Të sigurohet që të paktën një psikolog të jetë në dispozicion për një shkollë”, thuhet në njoftim.

KOMF gjithashtu ka kërkuar që MASHTI në bashkëpunim me DKA-të, të sigurojnë mbarëvajtjen e punës së mësimit plotësues/shtesë për të siguruar përmirësimin e gjendjes së fëmijëve në mësimnxënie, sidomos për fëmijët të cilët nuk e kanë ndjekur mësimin në distancë.

“MASHTI dhe MSH-ja bashkë me komunat, të sigurojnë realizimin e vizitave të rregullta shëndetësore të fëmijëve në shkolla. KOMF kërkon mobilizim të gjithmbarshëm, krijim të kushteve dhe respektim të masave nga nxënësit dhe mësimdhënësit, për të ruajtur shëndetin e fëmijëve si dhe për të mundësuar një vit shkollor efektiv. Varësisht prej situatës epidemiologjike, MASHTI dhe komunat duhet të aplikojnë skenarët sipas rekomandimeve të IKSHPK”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat