77 tragjedi familjare ende pa u mbyllur java/Abdixhiku me kritika të ashpra për qeverinë Kurti

Lajme

77 tragjedi familjare ende pa u mbyllur java/Abdixhiku me kritika të ashpra për qeverinë Kurti

Nga: M.L. Më: 27 gusht 2021 Në ora: 19:51
Foto ilustrim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova s`i pasojë e menaxhimit inekzistent pandemik po përjeton edhe tragjedi edhe varfërim ekonomik.

“Edhe tragjedi njerëzore edhe varfërim ekonomik. Praktikantët në aksion! Plot 77 vdekje në 5 ditë si rezultat i menaxhimit inekzistent pandemik. Kosova sot është e renditur në 5 vendet e fundit në botë për nga numri i të infektuarve për banorë. SHBA ka kthyer tashmë vendin tonë në vend me rrezikshmëri të lartë. Të njëjtat hapa pritet t’i marrë edhe Bashkimi Evropian. Si masë, natyrisht, vjen mbyllja; e me të dhe gjithë kostot ekonomike pas. Kur s’menaxhon, nuk inspekton, nuk kontrollon, përfundon në ekstreme. Edhe jetë të humbura edhe mbyllje. Edhe tragjedi njerëzore edhe varfërim ekonomik. Pra, alternativë të mirë më nuk ka”, shkruan Abdixhiku në një postim në Facebook.

Ai thotë se vendet e rajonit, për dallim nga Kosova po e vazhdojnë jetën e tyre në hapje.

“Ato ecin para sepse kanë përgjegjshmëri shtetërore. Kanë kontrolle të jashtëzakonshme, inspektime të rregullta, qendra vaksinuese mobile, masa stimuluese e ndëshkuese, kanë shtet që bën punë! Shteti ynë se bën asnjë nga këto. Praktikantët tanë, punë kanë, por të tjera janë ato. Disa protestojnë ndaj vetes - merreni me mend - të tjerët heqin kapela në rekorde e zeza në vend; ca punë konsiderojnë edhe numrin e telefonatave që njëri i bën; e ai kryesori ka vendosur t’u ndajë infermierëve pak lëmoshë; se për t’i parë e mbështetur as që bëhet fjalë”, nënvizon ai.

Sipas Abdixhikut, Kosova është në rënie të lirë sepse pushtetarët tanë ditën që morën pushtet harruan për çfarë janë.

“14 shkurtin e morën si festë e si fund, e si garancë që çkado që bëjnë - edhe kur s’bëjnë gjë - nuk ka rëndësi. Po e shohin veten të paprekshëm, prandaj dhe sillen kështu. Kjo arrogancë natyrisht se do të merr edhe përgjigjen e vet - populli sheh - po ç’na duhet kjo përgjigje kur 77 tragjedi familjare i kemi pa mbyllur javën ende”, u shpreh ai.

I pari i LDK-së, iu bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe të mbrohen.

“Nga shteti mos prisni gjë - janë në delir vetëlavdate e mohim krize edhe në kohë morti mbarë nacional. Spitalet janë të mbushura përplot. Mjekët i kemi të lodhur e stërngarkuar, të ofenduar me lëmoshë e të pakët në numër pasi i larguan 575 punonjës shëndetësorë - po këta. Na duhet një reagim kolektiv për ta përmbysur këtë keqmenaxhim”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat