Kryeministri Kurti falënderon Policinë e Kosovës për angazhimin profesional në mbrojtje të rendit dhe ligjit

Lajme

Kryeministri Kurti falënderon Policinë e Kosovës për angazhimin profesional në mbrojtje të rendit dhe ligjit

Më: 3 tetor 2021 Në ora: 16:43
Foto nga takimi

Pas realizimit me sukses të planifikimeve operacionale dhe zbatimit të vendimeve të institucioneve të Kosovës, e në veçanti për angazhimet në veri, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, pritën në takim stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës, në krye me drejtorin e Përgjithshëm, Samedin Mehmetin.

Kurti falënderoi dhe u shprehu mirënjohje të gjithë punonjësve të Policisë së Kosovës, të cilët me angazhimet e tyre për 13 ditë me radhë treguan sjellje profesionale, përkushtim të pashoq për mbrojtjen e vendkalimeve dhe policëve kufitarë që po zbatojnë reciprocitetin e targave të automjeteve, si dhe dëshmuan se Policia e Kosovës është e ndërtuar sipas standardeve evropiane, në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj.

Me këtë vetëmohim e qëndrim profesional në çdo veprim të çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, u vërtetua se ndër objektivat kyçe të Policisë së Kosovës mbetet zbatimi i ligjit, ruajtja e rendit e qetësisë publike dhe lëvizjes së lirë, duke garantuar kufij të hapur, mirë të kontrolluar dhe të sigurt”, tha Kurti.

Ai e vlerësoi lart punën, angazhimin dhe përkushtimin maksimal, sidomos të Njësisë Speciale të Kosovës, e cila me sjelljen e dinjitetshme përkundër provokimeve të llojllojshme, dëshmoi se është profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat