Ky është momenti kur Millosheviqi e kuptoi që e kishte humbur pushtetin në Serbi

Lajme

Ky është momenti kur Millosheviqi e kuptoi që e kishte humbur pushtetin në Serbi

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 09:06
Sllobodan Millosheviq

Sot janë 21 vjet që kur “Kasapi i Ballkanit” Sllobodan Millosheviq, e humbi pushtetin si president legjitim i Serbisë.

Ai ishte mundur nga Vojsllav Koshtunica, në zgjedhjet në vitin 2000.

Në Serbi në këtë kohë kishin shpërthyer protesta duke mos e pranuar më atë.

Por, si e kishte kuptuar Millosheviqi që e kishte humbur pushtetin?

Lidhur me këtë ka folur Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Nacional të Luginës.

Mustafi tha në një intervistë se në momentin që ushtria nuk i pranoi më udhërat e Millosheviqit, ai e kishte kuptuar që nuk e kishte në dorë më pushtetin.

“Momentin që zinxhiri komandues i ushtrisë fillojë të mos i pranonte udhërat e tij si të një presidenti të plotfuqishëm. Momentin kur protestuesit u futën në Radio Televizionin e Serbisë atëherë, dhe aty lajmëruan që ushtria po refuzon të marrë urdhërat e presidentit, Millosheviqi ka rënë nga pushteti”.

Kreu i Këshillit Nacional të Luginës theksoi se edhe pse Sllobodan Millosheviqi ra nga pushteti, Serbia nuk u ç’Millosheviqizua.

“Millosheviqi ra nga pushteti, por Serbia nuk u ç’Millosheviqizua. Nuk u demokratizua as si mendësi as si frymë shoqërore. Sot e kemi presidentin e Serbisë, i cili ka qenë ministër i Informacionit në kohën e Sllobodan Millosheviqit, kemi kryetarin e Kuvendit i cili ka qenë zëdhënës. Gjithashtu e kemi edhe ministrin e Brendshëm Aleksandar Vulin, i cili ka qenë zëdhënës i Mira Markoviqit, gruas së Sllobodan Millosheviqit”.

“Të gjithë mendonin se demokratizimi i saj do të fillonte me shpejtësi, krahas saj integrimi i saj në Bashkimin Evropian. Ç’është e vërteta me qeverinë e parë të Zoran Gjingjiq, kishte një hov të demokratizimit. Institucionet kishin filluar të demokratizoheshin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat