“BE na mban të izoluar një grusht popull”/Bislimi tregon se cila është shpresa e vetme për Kosovën

Lajme

“BE na mban të izoluar një grusht popull”/Bislimi tregon se cila është shpresa e vetme për Kosovën

Nga: M.L. Më: 7 tetor 2021 Në ora: 10:35
Faton Bislimi

Ish deputeti i LDK-së dhe anëtari i Ligës shqiptaro-amerikane, Faton Bislimi vlerëson se Samiti i djeshëm që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, nuk jep asnjë shpresë se ky konglomerat qeverisjeje e kontinentit të vjetër mund dhe do të sfidojë suksesshëm kohën dhe skeptikët

“Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë qoftë nga substanca e paraqitur në “Deklaratën e Bërdos,” qoftë nga fjalimet e liderëve evropianë, nuk jep asnjë shpresë se ky konglomerat qeverisjeje e kontinentit të vjetër mund dhe do të sfidojë suksesshëm kohën dhe skeptikët”, shkruan Bislimi në një postim në rrjetin social Facebook.

Ai me këtë rast bënë një përmbledhje të gjithë asaj që u zhvillua në Bërdo.

Përkundrazi, ajo që ndodhi në Bërdo, për mua mund të përmblidhet kështu sa i përket BE-së:

-- Retorikë e lodhur, në vend të thumbimit që kërkon koha;

-- Fragjilitet i brendshëm, në vend të kohezionit të domosdoshëm;

-- Monotoni lidershipi, në vend të krenarisë për të udhëhequr;

-- Plogështi veprimesh, në vend të vendosshmërisë me vepra;

-- Avashllëk e besa edhe boshllëk kreativiteti që sjellë veç letargji e skepticizëm, por assesi inkurajim e optimizëm”, shprehet Bislimi.

Sipas tij, BE, për shkak të problemeve të brendshme nuk i ka qëndruar besnike përkushtimeve të veta ndaj Ballkanit Perëndimor e aq më pak ndaj Kosovës.

“Normalisht, secili që dëshiron të tingëllojë politikisht korrekt, nuk do e thoshte këtë që po e them, mirëpo, kur “politikisht korrekt” bëhet “ëndërr me sy çelë,” nuk na duhet assesi. BE, për shkak të problemeve të brendshme, herë arsyeshëm e here paarsyeshëm, nuk i ka qëndruar besnike përkushtimeve të veta ndaj Ballkanit Perëndimor e aq më pak ndaj Kosovës”, potencon ai.

Sipas Bislimit, është kjo BE që thirret në vlerat e lëvizjes së lirë, të drejtave të njeriut, respektit të diversitetit kulturor, ekonominë e lirë të tregut, etj., dhe e cila ende na mbanë të izoluar një grusht popull në një shtet, që realisht si BE, ende nuk e njeh si të tillë!

Është kjo BE që pa shtytjen amerikane jo që s’do arrinte asnjë sukses në Ballkan, por përkundrazi, do pësonte edhe vet. Është po kjo BE, nga e cila doli Mbretëria e Bashkuar, dhe e cila s’do ta ketë më lokomotivën e kohezionit ekonomik të udhëhequr nga Gjermania nën lidershipin e Merkel. Kjo BE që ndaj neve është sjellë mirë veç prej zorit e asnjëherë prej dashamirësisë (me disa përjashtime të disa shteteve e liderëve, kuptohet!). Neve nuk e kemi komoditetin dhe kohën e pafund që të presim karrotën nga BE, derisa shkopi na mbetet mbi kokë”, theksoi ai.

Kështu për Bislimin, e vetmja shpresë për Kosovën ka mbetur SHBA si mik i sinqertë dhe i pa-rezervë.

Ka vetëm një shpresë për ne: AMERIKA! Po, disa mund të mos e kuptojnë këtë ngase nuk e kuptojnë esencën e demokracisë përfaqësuese, fundamentin mbi të cilin është ndërtuar Amerika si fuqi globale. Por, mik më të sinqertë, më të parezervë për shqiptarët sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka pasë e as nuk ka! Sa më shpejtë që ta kuptojmë këtë, aq më mirë do t’i kemi punët! #Kosova #USA #ANewDirection #ANewState”, përfundoi Bislmi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat