Netët të trishta, ndërsa mëngjeset fillonin me helm! – Atentati ndaj Xhemajl Mustafës

Lajme

Netët të trishta, ndërsa mëngjeset fillonin me helm! – Atentati ndaj Xhemajl Mustafës

Nga: Idriz Morina Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 15:30
Xhemail Mustafa me simbolin e

Një nga ditët më tronditëse për Kosovën ishte 23 nëntori i vitit 2000. Edhe për mua. Kosova sapo i kishte kaluar zgjedhjet lokale. Presidenti Rugova i shpalli ato me një fitore bindëse, 65 %, OSBE-ja, e uli shifrën në 56 %. Partitë humbëse, veçmas PDK-ja ishte e tronditur. E mbështetur gjithë kohës nga mediat e veta televizive dhe shumicën e atyre të shkruara, e kishin krijuar bindjen për fitore.

Rezultati ishte tejet zhgënjyes, për të mos thënë lemeritës. Fajtori i humbjes nuk po gjindej dot. Sigurisht se ishin dhënë edhe shumë para, madje miliona, por se ku dhe si kishin përfunduar ato nuk kishte shpjegim.

Kërcënimet

Aq shumë ishin të tensionuar krerët e PDK-së, sa në konferencën për shtyp të organizuar nga ajo, unë arrita t’i bëja tri pyetje, që ia rrëzonin teorinë kësaj partie, se LDK-ja ua kishte vjedhur fitoren, (merreni me mend!). As pyetjet nuk mund t’i duronin lëre më që nuk u përgjigj Thaçi. Pas pak erdhi një truproje me kërcënimin e forcës të më tërhiqte të dilja jashtë. Unë ia ktheva se jam gazetar dhe nuk dal. Truproja u kthye mbrapshtë për urdhra të rinj. Ishin më shumë se 100 gazetarë, me dhjetëra të huaj, nga BBC, AP, AFP, Reuters etj. Erdhi sërish dhe më tërhiqte për rrobe me të butë duke më pëshpëritur që të dilja jashtë. Unë nuk po ia vëja mendjen më, po planifikoja si të dilja, pa më sulmuar, dhe pa më lënduar. Konferenca mbaroi shpejt, sepse përveç meje nga gazetarët shqiptarë nuk më kujtohet nëse bëri pyetje edhe ndonjë, nga tabori i mediave të tyre. Duke dalur shkallëve përposhë, duke pasur dy gazetar trupmëdhenjë, njërin para dhe njërin pas, Besnik Hamitin dhe kolegun tim, Arsim Osmanin, në fund të shkallëve rojet e vendosura zig-zag, enkas për të më kapur, por nuk kishte kush t’ua thoshte nga tollovia që krijuan gazetarët, shumica duke u ngjitur një kat më sipër tek zyra e Thaçit, më në fund njëri ia arriti që me gju të më godiste, anash në këmbën e djathtë! Ky ishte kërcënimi i parë dhe sulmi i parë ndaj një gazetari të ‘Bota sot” pas luftës në Prishtinë.

Fitorja e lumturisë!

Edhe gazetarët e huaj, ishin të kujdesshëm, të butë dhe me pak pyetje në konferencë, për dallim nga një ditë më parë, kur te Rugova, vlonin gazetarët nga dëshira për të pyetur, dhe nuk mjaftonte koha e vënë në dispozicion, ndërsa Xhemajl Mustafa tepër i qeshur, në rolin e zëdhënësit të LDK-së, se kisha parë kurrë aq të lumtur. Sigurisht se do të ketë besuar se strukturat kriminale po dështonin, dhe nuk do të mund të ngjiteshin në krye të shtetit kurrë!

Këto çaste lumturie për Xhemën, do erreshin shumë shpejt! Një parollë e shkruar me të kuqe, në trotuarin buzë “Toskanës” “mallkuar gjaku i dëshmorëve...”, ishte paralajmërimi për hakmarrje ndaj humbjes!

Situata ishte e tendosur, netët të trishta, ndërsa mëngjeset fillonin me helm!

“A dëgjuat?! E kishin vra Xhemajl Mustafën”, erdhi në redaksinë tonë në katin e 9-të të pallatit të shtypit, një fotoreportere që punonte në katin e 8-të, në një redaksi tjetër.

Të gjithë u shtangëm, sa nuk po shpërthenim në vajë, mbetëm në ankth duke e shikuar njëri tjetrin, si për të kërkuar kurajo. Nuk donim ta besonim. Një koleg, Bajrushi, e mori në telefon Xhemail Mustafën, nga andej u dëgjua zëri tij, ndërsa kolegu ynë, mbet pa fjalë, çfarë t’i thoshte: Na bëjë më herët shkrimin e radhës!...

Nuk më kujtohet rrëfimi i mëtejshëm, por morëm frymë lehtësisht dhe thamë se shpëtuam edhe kësaj radhe. Askush nuk e dinte kush ishte në radhë.

Po atyre ditëve (nuk më kujtohet me saktësi nëse ishte të njëjtën ditë apo më pas), ndërsa po ngjitesha me lift në Pallatin e Shtypit në katin e nëntë ku ishte redaksia e “Bota sot”, një kolege-pronare e RTV21, po i thoshte dy vetave të tjera në liftë, a e dëgjuat e kishin vrarë filanin, edhe Shefki Ukën..., kjo më neveriti. Unë sapo isha takuar dhe ai ishte shëndoshë e mirë!

Por, e kuptova disa muaj më vonë, kur ndodhi vrasja e Xhemail Mustafës, se kështu bëheshin vrasjet politike.

Njëherë thurej akuza, mandej duke hartuar planin me lista, pastaj i nxirrnin tellallët në sheshe e kafene, (edhe në lifte), që ta shpërndanin ogurin e zi, kjo ishte hija e SHIK-ut.

Kur të ndodhte vrasja, njerëzit ta konsideronin normale, apo sipas tyre gjënë e duhur! (Sot duket e tmerrshme).

Por, sot, e kanë problem ku t’i fshehin gjurmët, se përveç vendimmarrësve për vrasje, ishin edhe porositësit, pastaj ekzekutorët, po sa tellallë i kishin, dhe a mund t’i zhdukin tërë këta?

Dekodues i mesazheve, dhe strukturave të krimit

Ishte e hënë, më kishte thirrur Xhemail Mustafa për një kafe. E shihja dhe e takoja ndonjëherë në zyrat e QIK-ut, edhe pse rrallë shkoja atje, por kryesisht për të marrë ndonjë prononcim, dhe ndërkohë që na duhej të prisnim hynim tek kolegët.

Më kërkoi të takohesha në kafenenë “Elida”, aty ku dikur e kalonte kohën e lirë elita intelektuale shqiptare. Më tha se donte të më takonte çdo të hënë, si duket i kisha krijuar besim nga shkrimet e mia, kryesisht raportuese, por edhe si njeri, ndërkohë që do të pinim nga një kafe për të biseduar, unë pastaj do ta dërgoja “flopin” me shkrimin e tij, në redaksi. Fati nuk e deshi të pinim kafe më. Një javë më pas do të mungoja, ndërsa javën tjetër do të vritej Xhema.

Ishte një nga ditët më të vështira emocionale për mua. Sapo kishte ndodhur vrasja, lajmi u shpërnda sikur retë e një shpërthimi të jashtëzakonshëm, nuk kishte rrjete sociale si të sotmet, por me telefonata dhe mënyra tjera, nuk kishte se si të mbulohej vendi më shpejt në zi. U shtangëm të gjithë, kronika e një vrasje të paralajmëruar u përmbyllë!

Kosova, Rugova dhe LDK-ja humbi njeriun e jashtëzakonshëm, që nuk do të kishte kush ta ndihmonte më në dekodimin e krimit, strukturimit të tij, raportet me bashkësinë ndërkombëtare, dhe mesazhet që duhej t’i përcilleshin shqiptarëve.

Mesazhisti - “I dërguari” u vra!

Nderimi nga Rugova dhe ngushëllimi!

Rugova lajmin e kobshëm për vrasjen e mikut të tij e mori sa ishte në udhëtim zyrtar. Të nesërmen u kthye drejt nga Aeroporti rek varri i Xhemës në Gllamnik, mikut të tij të shtrenjtë.

Image
Unë me presidentin Rugova, duke e ngushëlluar / Foto: Adnan Ruhani, forograf i presidentit Rugova

Edhe unë hyra në radhë ta ngushëlloja presidentin Rugova. Ashtu u bëmë ngushëllues, nga raportues, jo vetëm në varreza, por edhe atje ku mbaheshin ngushëllimet e familjes në fshat.

Nuk e kisha parë deri atëherë asnjëherë në atë gjendje Presidentin, dhe asnjëherë më vonë, kur do të raportoja nga rezidenca e tij. Kishte më shumë se një vit, që unë raportoja nga takimet që mbante Presidenti Rugova, por nga shkurti i vitit 2000, ai ishte vetëm kryetar i LDK-së, dhe anëtar i KPA-së, Këshillit Administrativ të Kosovës, të krijuar nga UNMIK-u, atë kohë shef ishte Kushneri.

Dy herë e kisha parë të përkulej, me gjunjë në tokë tek varri i Fehmi Aganit, dhe i thyer tek varri i porsambyllur i Xhemail Mustafës!

“Vrasja e kërkuar nga fashizmi serb!”

Ashtu siç e tha sot miku im, gazetari Lekë Musolli, “Xhema u vra sepse e dinte lojën e ndyrë që e bënin qarqet antikombëtare për Kosovën. Prandaj, ndodhi vrasja që e dëshironte fashizmi serb”.

Pra, është e pashkëputshme, që vrasjet në Kosovë të disa figurave qendrore mos të kenë ndodhë me dijeninë apo bashkëpunimin e Serbisë.

Vetëm Serbia ka resurse të atilla analitike, sa që me disa vrasje, e izoloi Rugovën, dhe e rrezikoi trashëgiminë e tij politike.

LDK-ja pas vdekjes së Rugovës eci ndarjeve të vazhdueshme, por disa nga ata që mbetën më të fuqishëm brenda saj, mbetën si duket me ato dyshime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat