Sulmi me kallashnikov në Gllogjan ishte i planifikuar!

Lajme

Sulmi me kallashnikov në Gllogjan ishte i planifikuar!

Nga: I. M. Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 22:42

Kur kanë mbetur rreth tetë veta në autobus, menjëherë sapo autobusi ka lënë fshatin Shaptej, ku kanë zbritur disa udhëtarë e nxënës, ndërsa autobusi po shkonte në drejtim të Gllogjanit, sulmuesi është shfaqur papritmas dhe ka shtënë me armën kallashnikov.

Sulmi ka ndodhur në afërsi të shtëpive të para të Gllogjanit, kur autobusi nuk po lëvizte shpejt. Aty sulmuesi i maskuar ka zënë pritën dhe ka shtënë me armën e zjarrit, i thotë një burim gazetës “Bota sot”.

Sipas tij bazuar nga vendi i ngjarjes, ku ka ndodhur sulmi është vend i planifikuar nga sulmuesi, pasi i mundësonte edhe goditjen e autobusit edhe të fshihej pastaj.

Aty kanë mbetur të vdekur dy nxënës, vajza Gentiana Mustafa (2004) dhe Ledion Hamza (2003), ndërsa i palgosur është një nga familja Turkaj, Flianti 16-vjeçar, nga fshati Dubravë dhe shoferi i autobusit Gani Gjokaj.

Sa i përket përmendjes së konfliktit për një linjë, me shumë gjasë ky motiv përjashtohet, pasi kjo ka qenë linja e vetme që e ka bërë këtë rrugë.

“Në atë linjë s’ka pas linjë tjetër”, thotë ai, por thotë se ende është herët për të shpjeguar motivet. Po ashtu ai e konfirmon se shoferi është nga Gjakova, fshati Skivjan, që nënkupton se ai nuk kishte të bënte me linjën.

Në vendin ku ka ndodhur sulmi tragjik sonte, kanë ndodhur pikërisht në atë rreze edhe vrasje të tjera vite më parë.

Prokurori i rastit për ngjarjen në Gllogjan ka thënë para mediave se ka disa pista të ndryshme të hetimit.

“Ka pista të ndryshme të hetimit. Për momentin s’kemi motiv të caktuar dhe s’kemi informata që të ndajmë me ju”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat