Ulqin, dhuna në familje gjatë pandemisë së koronavirusit

Lajme

Ulqin, dhuna në familje gjatë pandemisë së koronavirusit

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 21:31
Foto ilustrim

Në kuadër të projektit “Dhuna dhe shëndeti” të organizuar nga linja telefonike SOS, për viktimat e dhunës në familje u tha se gjatë pandemisë së koronavirusit dhuna në familje ishte ndër dukuritë më të përhapura.

Prania e pandemisë me COVID-19, sipas autoriteteve vendore, e ka rritur dukshëm numrin e rasteve të dhunës në familje, jo vetëm në Ulqin por edhe në Mal të Zi.

Drejtoresha e Shoqatës “SOS telefoni për viktimat e dhunës në familje” në Ulqin, Hatixhe Nelaj, vë në dukje problemin e raportimit të dhunës në institucionet përkatëse.

“Këtë vit kemi regjistruar 81 raste të dhunës në familje që nuk përkojnë me statistikat që janë në Gjykatën Themelore apo në polici. Arsyeja pse nuk kemi një numër të njëjtë është se një grua shumë më lehtë vendos që të paraqitet në SOS telefon, ku e di se do të ketë kontakt me një profesionalist dhe ajo do të mbetet anonime, ndërkohë që në institucionet përkatëse ajo ngurron që mos të shihet nga punonjësit e policisë apo të gjykatës”, tha zonja Nelaj.

Ajo thotë se në të ardhmen duhet të krijohet një strategji efikase për identifikimin e të gjitha formave të dhunës në familje.

“Një ndër përfundimet kyçe është që në polici patjetër të angazhohet një psikolog si dhe aty duhet të jenë edhe dy persona adekuat dhe të trajnuar që do të dijë të sillen dhe të merren me viktimat e dhunës. Ndërkohë në institucionet e shëndetit publik do të vendosen formularët përkatëse, të cilët i kemi siguruar dhe këto ditë do të vihen në shërbim të viktimave për regjistrimin e dhunës”, tha zonja Nelaj.

Dhuna në familje është një nga dukuritë mjaftë të përhapura dhe kjo u vrejtë sidomos gjatë periudhës së pandemisë me COVID-19.

“Prania e pandemisë me COVID-19 e ka rritur numrin e rasteve të dhunës në familje, jo vetëm në Ulqin por edhe në Mal të Zi”, tha përfaqësuesja e Gjykatës Themelore të Ulqinit, Tanja Miroviq.

Zonja Miroviq tha se një numër shumë i vogël rastesh të dhunës në familje raportohen, gjë që paraqet problem për hetimin dhe ndjekjen penale./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat