IPKO shpërblehet për të tretën herë me çmimin FIDES për kontribut në aktivitete filantropike

Lajme

IPKO shpërblehet për të tretën herë me çmimin FIDES për kontribut në aktivitete filantropike

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 15:58
IPKO

IPKO ka pranuar çmimin FIDES për kontribut në aktivitete filantropike, për dhurimin e sistemit të sofistikuar të ultrazërit në Klinikën Onkologjike të QKUK, ngjarje e organizuar çdo vit nga Forumi për Iniciativë Qytetare për të vlerësuar të gjithë kontribuuesit e shoqërisë si dhe për të stimuluar sa më shumë biznese dhe individ që të ndajnë të mirat e tyre me pjesën tjetër të shoqërisë.

Gjatë një ceremonie për ndarjen e çmimeve, të mbajtur nën kushtet e diktuara nga masat për parandalimin e pandemisë, Këshilltarja për Marrëdhënie me Publikun në IPKO, Afrika Zyferi, falënderoi Forumin për Iniciativë Qytetare për ndarjen e këtij çmimi dhe për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për ndërtimin e një qytetarie aktive dhe të shëndetshme.

“Ne në IPKO besojmë se për një biznes afatgjatë të suksesshëm, është shumë e rëndësishme të jemi të lidhur me njerëzit dhe komunitetin dhe të mbështesim zhvillimin e tyre të përgjithshëm. Edhe në këto kohë, kur të gjitha bizneset dhe ekonomia ishin mjaft të prekura nga pandemia, IPKO mbeti e përkushtuar ndaj qëllimeve dhe vlerave të saj korporative. Përgjegjësia jonë sociale është një nga asetet tona më të forta. Dhurimi i kësaj pajisjeje ishte një dedikim për të gjitha gratë e Kosovës dhe veçanërisht gratë në IPKO, të cilat janë forcë lëvizëse në kompaninë tonë”, tha znj. Zyferi.

Sipas statistikave, kanceri i gjirit dominon me 400 raste të reja në vit dhe është më i përhapuri në Kosovë. Ky ultrazë është kritik për të shkurtuar periudhën e pritjes për pacientët që janë në radhë për kontroll, periudhë e cila është vendimtare për zbulimin e kancerit dhe rritjen e mundësive për të mbijetuar.

IPKO tash e shumë vite ka iniciuar dhe mbështetur kauza të ndryshme që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë. Disa nga kontributet kryesore të IPKO-së në sektorin e shëndetësisë janë: dhurimi i pajisjeve mjekësore në 20 njësi pediatrike qendrat kryesore për përkujdesje familjare, në komuna të ndryshme të Kosovës dhe dhurimi i 5 inkubatorëve për Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ku të gjitha së bashku kapin vlerën e rreth 200 mijë euro.

IPKO është një kontribuues i madh për shoqërinë, gjithmonë duke iniciuar dhe mbështetur kauza të ndryshme me temën kryesore, shëndetësinë, arsimin dhe sportin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat