Ish-diplomati serb: Ambasadorët e rinj të SHBA sjellin presion shtesë ndaj Serbisë

Lajme

Ish-diplomati serb: Ambasadorët e rinj të SHBA sjellin presion shtesë ndaj Serbisë

Më: 11 janar 2022 Në ora: 12:27
Zoran Millivojeviq

Vijnë reagimet e para nga njerëzit e afërt me pushtetin serb për ardhjen e ambasadorëve të rinj të SHBA në rajon, gjegjësisht në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Serbi.

“Ambasadori i ri i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, është i pari nga tre ambasadorët e mëdhenj amerikanë që do të vijnë në rajon, më saktësisht edhe në Beograd dhe Sarajevë, dhe strategjia e tyre do të jetë të zgjidhin punët e papërfunduara në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë, më saktësisht të këmbëngulin në centralizimin BeH dhe të bëjnë presion ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar ish-diplomati serb Zoran Millivojeviq.

Sipas Millivojeviqit, kjo është strategjia e politikës së jashtme të administratës demokratike të udhëhequr nga presidenti i SHBA Joseph Biden.

“Tashmë kemi dinamikë rreth BeH dhe pres që këtë vit të kemi dinamikë edhe rreth Kosovës. Prandaj, ardhja e ambasadorit të ri në Prishtinë është fillimi i realizimit të strategjisë së hartuar nga administrata e re dhe përbërja e re e Departamentit të Shtetit, dhe sigurisht që është një presion i ri ndaj Serbisë për ta zgjidhur këtë çështje dhe për ta zgjidhur atë në frymën e asaj që presidenti Biden njoftoi pas marrjes së detyrës në urimet e tij ku foli për njohjen reciproke”, ka pretenduar Millivojeviq.

Ai thotë se “kjo do të jetë baza e strategjisë së re amerikane” dhe, siç thotë ai, “do të promovohet nga ambasadori i ri në Prishtinë, si dhe ambasadori i ri në Beograd, Christopher Hill”.

Ai thekson se tri gjëra do të jenë vendimtare për Amerikën dhe e para është që të kompletohet shtetësia e Kosovës dhe të vendosen kufij të rinj në Ballkan, pra Serbia pa Kosovën.

Gjëja tjetër është ndalimi ose kundërshtimi i ndikimit të Rusisë dhe Kinës.

Sipas Millivojeviq, gjëja e fundit është të realizohet koncepti i zgjerimit të NATO-s në Kosovë dhe të kompletohet strategjia që i gjithë rajoni të hyjë në “sferën e interesit perëndimor”, dhe që ai proces të përfundojë përmes integrimeve euroatlantike.

“Ambasadorët Hovenier dhe Hill do të kenë të njëjtën detyrë dhe unë mendoj se ata do të koordinohen drejtpërdrejt dhe sigurisht do të koordinohen me Brukselin”, ka pretenduar Millivojeviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat