Motra e Xhelal Sveçlës punësohet në Ministrinë e Bujqësisë

Lajme

Motra e Xhelal Sveçlës punësohet në Ministrinë e Bujqësisë

Më: 4 prill 2022 Në ora: 16:23
Xhelal Sveçla

Motra e Xhelal Sveçlës, Magbule Hyseni, është punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ky fakt nuk do të përbënte lajm, nëse motra e Sveçlës nuk do të punësohej së fundmi në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. E njëjta, është angazhuar në pozitën Zyrtare për Rrjetin Kombëtar Rural dhe partnerët e tjerë socialë për përgatitjen e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR), në kuadër të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Ky projekt implementohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe financohet nga kredia e Bankës Botërore, shkruan Insajderi.

Të dy këto institucione, Ministria e Bujqësisë dhe Banka Botërore e kanë konfirmuar punësimin e Magbule Hysenit në dikasterin e udhëhequr nga ministri Faton Peci, i emëruar nga kryeministri Albin Kurti.

“Znj. Hyseni ishte angazhuar në Departamentin e Politikave të Zhvillimit Rural/Autoriteti Menaxhues brenda MBPZhR-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë për Gazetën Insajderi.

Hyseni për këtë pozitë është zgjedhur nga Ministria e Bujqësisë, bazuar në procedurat e prokurimit të Bankës Botërore.

“Procesi i përzgjedhjes për stafin që punon në zbatimin e projektit është përgjegjësi e agjencisë zbatuese, në këtë rast Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore.

Komisioni Vlerësues për angazhimin e Hysenit, motrës së Sveçlës, është përbërë nga anëtarë të projektit dhe anëtarë të MBPZhR-së.

Paga e Hysenit nga ky angazhim në kuadër të projektit të Bankës Botërore, e që implementohet nga Ministria e Bujqësisë, është 423 euro, sipas koeficientit të paraparë në konkurs, ekuivalente me gradën 7 të Shërbyesit Civil.

Projekti i Bankës Botërore, në të cilin është angazhuar Hyseni, ka për qëllim përmirësimin e produktivitetit dhe qasjes në tregje të përfituesve të projektit në nënsektorët e hortikulturës dhe blegtorisë në Kosovë dhe forcimi i kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Data e përfundimit të këtij projekti ku u angazhua motra e ministrit Sveçla, është më 30 qershor 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat