Sivjet në Kosovë të mbillen 90 mijë hektarë me kultura lavërtare, 50 mijë vetëm me misër

Lajme

Sivjet në Kosovë të mbillen 90 mijë hektarë me kultura lavërtare, 50 mijë vetëm me misër

Më: 14 prill 2022 Në ora: 15:33
Foto ilustrim

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka paraparë që sivjet do të mbillen rreth 90 mijë (90,000.00) hektarë me kultura lavërtare pranverore.

Sipas kësaj ministrie, vetëm me kulturën e misrit gjatë këtij viti është planifikuar që të mbillen mbi 50 mijë (50,000.00) hektarë.

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, nga kjo ministri thonë se në mbjelljet pranverore mbillen një numër i madh i kulturave bujqësore për dallim nga mbjelljet vjeshtore, kur mbillet vetëm gruri dhe elbi.

Ata shtojnë se afati optimal për mbjelljen e këtyre kulturave bujqësore në sezonin pranveror është shumë më i gjerë, duke filluar nga fillimi i marsit kur mbillen tërshëra dhe kultivar të hershëm të patates, duke vazhduar me kultura të ndryshme bujqësore dhe përfundon tek në gjysmën e muajit maj, kur edhe mbillen lloje të ndryshme të perimeve në fushë të hapur.

Sa i përket misrit, këtë vit Ministria e Bujqësisë ka premtuar se për fermërët që e kultivojnë këtë kulturë, do të ketë edhe subvencione, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022.

Rrjedhimisht, nga kjo përkrahje e ministrisë pritet të përfitojnë të gjithë fermerët të cilët kanë mbjellur apo kultivuar misër me sipërfaqe së paku 1 hektarë dhe që i plotësojnë kriteret e parashtruara sipas PPD-së për vitin 2022.

Nga ministria thonë se subvencionimi për kulturën e misrit gjatë këtij viti do të jetë në vlerë prej 329 euro për hektarë, përfshirë plehërimin pranveror si dhe naftën për bujqit.

Ata gjithashtu thonë se MBPZHR-ja përmes Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregtisë, me kohë i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbjelljet pranverore, meqë paraprakisht është bërë regjistrimi i varieteteve të reja dhe plehrave sipas kërkesave të kompanive aplikuese, si dhe licencimet e importuesve dhe tregtuesve të agroinputeve bujqësore (farë, pleh, preparate për trajtim të farës etj).

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, në gjithë territorin e Kosovës ishte planifikuar që të mbillen 75,000 deri në 80,000 hektarë me drithëra, ku prej tyre vetëm me grurë ishte paraparë që të mbillen rreth 70,000 hektarë. Nga ky planifikim i ministrisë, në kohën e mbjelljeve vjeshtore më 2021, ishin mbjellur vetëm 66, 159.52 hektarë me grurë. E rendimentet e kësaj hapësirë të mbjellur me grurë gjatë vitit të kaluar, pritet të bëhen të ditura tek në korrikun e këtij viti, kur edhe është koha e korrjes së grurit.

Vlerësohet se këto sipërfaqe të mbjella me grurë, praktikisht përmbushin diku rreth gjysmën e kërkesave të kosovarëve për grurë. Kjo pasi nevojat e popullatës së Kosovës janë për rreth 400 mijë tonë grurë në vit.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, në një prononcim për mediat më herët, kishte thënë se Kosova mund të plotësojë vetëm 35 për qind të nevojave të popullatës së saj për miell nga rendimentet e saj të grurit.

Ndërsa, nga MBPZHR-ja në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik patën thënë se Kosova arrin t’i plotësojë nevojat me grurë deri në 67 për qind.

Ndryshe, ditë më parë, Serbia nga ku Kosova e importon pjesën më të madhe të grurit, njoftoi se ka ndaluar eksportet e saja jashtë vendit, shkaku i mbushjes së stoqeve të saj, pas luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Gjatë vitit 2021, Kosova kishte importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia, dhe 115 mijë tonë tjera nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina.

Sipas Tahirit, Kosova mund t’i zëvendësojë importet nga Serbia me prodhime të shteteve të tjera, derisa shton se autoritetet vendase duhet të bëjnë plane më afatgjate që gruri të sigurohet nga toka e Kosovës.

Kurse, sa i përket plotësimit të nevojave me farën e grurit, MPBZhR-ja më herët kishte bërë me dije se vendi ynë një përqindje të nevojave për këtë farë e plotëson, ndërsa pjesën tjetër e importon nga shtetet tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat