​Kërkohet paraburgim kundër 6 personave të arrestuar në aksionin e antidrogës

Lajme

​Kërkohet paraburgim kundër 6 personave të arrestuar në aksionin e antidrogës

Më: 21 prill 2022 Në ora: 11:32
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurve: S.B., B.R., Gj.R., shtetas të Republikës së Shqipërisë, si dhe N.M., A.M. dhe A.M, shtetas të Republikës së Kosovës të cilët gjenden në ndalim 48 orësh.

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se lidhur me këtë rast, arrestimi i gjashtë të pandehurve të lartëcekur ka ardhur si rrjedhojë e një hetimi disa mujor në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës.

“Sipas kërkesës së prokurorisë, me datë 20.04.2022, të pandehurit blejnë ose posedojnë pa autorizim me qëllim të shitjes, shpërndajnë ose ofrojnë për shitje dhe importojnë substanca apo preparate të shpallura me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që me marrëveshje paraprake dhe në mënyrë të organizuar i ndajnë rolet. Në këtë mënyrë i pandehuri Gj.R., i shet substanca narkotike të llojit marihuanë të pandehurve N.M, A.M., dhe A.M., të cilën substancë narkotike me automjetin e tipit “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë tek i pandehuri B.R., ku rreth orës 06:30 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, i cili më pas në fshatin Vaganicë të Komunës së Mitrovicës takohet me të pandehurin N.M., bashkërisht hyjnë në garazhin e shtëpisë së të pandehurit N.M., për ta dorëzuar substancën narkotike, ku kapen në flagrancë të dy të pandehurit. Gjatë kontrollit në automjetin “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë në bunkerin special të automjetit policia gjen 10,583 kg substancë narkotike të dyshuar për marihuanë, në garazhin e shtëpisë, pronë e të pandehurit N.M., policia gjen dy thasë të najlonit në 12 gjegjësisht 15 paketime me peshë 18 kg e 905 gram dhe 12 kg e 206.7 gram, nga ku të pandehurit N.M, A.M., dhe A.M., do ta transportonin në Serbi. Ndërsa, i pandehuri S.B., marihuanën e marrë nga Gj.R., me automjetin e tipit “Mercedes” po ashtu me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë, ku rreth orës 05:40 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, me destinacion të arrijë në Prishtinë, e kur arrin në lagjen “Uglar” të Fushë Kosovës ndalohet nga policia, e gjatë kontrollit të automjetit në bunkerin e modifikuar të automjetit policia gjen 10,072 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të destinuar për tregun e Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, në cilësinë e bashkëkryerësve, të dyshuarit kishin për ta kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton gjithashtu se në cilësi të provave materiale janë sekuestruar substanca e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, tri vetura të tipit Mercedes (dy me targa të Shqipërisë një me targa vendore, që të tria me bunker të modifikuar në të njëjtën mënyrë), 7 telefona celular, 10507 euro, si dhe disa monedha lek të Shqipërisë dhe denar të Serbisë”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat