Petkoviq: Kurti në vend të shantazheve të fillojë t’i kryejë obligimet

Lajme

Petkoviq: Kurti në vend të shantazheve të fillojë t’i kryejë obligimet

Më: 27 maj 2022 Në ora: 16:39
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq, ka thënë se i vetmi që duhet të ndryshojë qëndrim për dialogun me Beogradin është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe më në fund të fillojë të përmbushë obligimet e marra në kuadër të dialogut në Bruksel.

Me rastin e deklaratës së Kurtit se Beogradi duhet të ndryshojë qëndrim në dialog, Petkoviq ka rikujtuar se” kanë kaluar 3322 ditë që nga koha kur Prishtina nuk e formoi Asociacionin e Komunave Serbe dhe nuk janë zbatuar marrëveshje të tjera të shumta në fushën e energjetikës. thuhet në komunikatën e zyrës së Petkoviqit.

Petkoviq shtoi se Prishtina po refuzon të veprojë sipas kërkesave të Beogradit dhe të mundësojë kërkimin e nëntë lokacioneve në Kosovë, për të cilat, sipas tij, “ ka indikacione se fshehin trupat e serbëve të zhdukur dhe të vrarë gjatë luftës”.

“Beogradi ka qëndrimin e tij parimor, që nënkupton kërkimin e një kompromisi në dialog, si i vetmi mekanizëm për zgjidhje të qëndrueshme në Kosovë, kështu që Kurti nuk do të mund të ndryshojë qëndrimin e Beogradit zyrtar me retorikën e tij shantazhuese”, tha Petkoviq.

“Në vend të shantazheve dhe të kërkesave për “njohje reciproke”, Kurti do të ishte më mirë t’i rikthehej fjalëve si mirëkuptim reciprok, kompromis, dialog dhe respektim të marrëveshjeve në fjalorin politik dhe agjendën politike, sepse kjo është mënyra e vetme dhe e sigurt drejtë normalizimit të situatës në Kosovë”, ka përfunduar Petkoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat