Vulin: Vuçiq ruajti qëndrimin e Serbisë për çështjen e Kosovës dhe për marrëdhëniet me Rusinë

Lajme

Vulin: Vuçiq ruajti qëndrimin e Serbisë për çështjen e Kosovës dhe për marrëdhëniet me Rusinë

Më: 10 qershor 2022 Në ora: 22:19
Aleksandar Vulin

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se “asnjë politikan në Evropë nuk ka treguar forcë dhe këmbëngulje në mbrojtjen e interesave të vendit të tij si Aleksander Vuçiqi para kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz”, kanë raportuar mediet serbe.

Ai këtë e tha duke komentuar vizitën e Scholzit, i cili gjatë takimit me Vuçiqin theksoi se kushti gjerman për hyrjen e Serbisë në BE është që Serbia ta njohë Kosovën dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Kancelari Scholz qëllimisht u tregoi serbëve se çfarë pushteti ka, por edhe pa dashje i tregoi Serbisë se çfarë presidenti ka. Presidenti Aleksandar Vuçiq i tha publikisht, pa u fshehur apo zbukuruar, kancelarit të Gjermanisë atë që mysafiri ynë i nderuar nuk donte të dëgjonte. Vuçiq ruajti qëndrimin e Serbisë për çështjen e Kosovës, për marrëdhëniet me Federatën Ruse, por edhe për raportin me të drejtën ndërkombëtare. Vuçiq nuk lejoi të harrohej bombardimi i Serbisë dhe pa kërcënime, pa rënkime, i kujtoi Evropës hipokrizinë me të cilën ushtron presion ndaj Serbisë dhe premtimet e saj që më shumë duken si mashtrim sesa një fjalë e dhënë”, tha Vulin.

Ai shtoi se “nuk ka asnjë politikan në Evropë që ka treguar forcë dhe këmbëngulje të tillë në mbrojtjen e interesave kombëtare të vendit të tij, siç ka treguar sot presidenti i Serbisë para kancelarit gjerman”.

“Vuçiq është një politikan shumë i mençur sa për të mos e ditur se do të kishte qenë më mirë për të personalisht nëse ai do të dorëzohej dhe do t’i shkruante meritën e tij që i dha kancelarit të Gjermanisë mundësinë për të shënuar një pikë në fushën e politikës së jashtme. Do të ishte më mirë për një politikan, por jo për burrështetasin Aleksandar Vuçiq, për të ky nuk ishte opsion. Në histori kanë hyrë burra shteti, jo politikanë dhe frikacakë, por njerëz që nuk kanë frikë. Vuçiq tregoi se çfarë mund të bëjë një njeri i lirë në krye të një populli të lirë”, tha Vulin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat