Komandanti i KFOR-it takon ambasadorin e Ukrainës në Serbi

Lajme

Komandanti i KFOR-it takon ambasadorin e Ukrainës në Serbi

Më: 23 qershor 2022 Në ora: 19:01
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR shënon 20 vjetorin e formimit të tyre gjatë një ceremonie në Prishtinë, 11 qershor 2019.

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Ferenc Kajari, priti të enjten në një takim Ambasadorin e Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

Gjatë takimit u diskutua për një sërë çështjesh, përfshi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe përgjatë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Më tej, komandanti hungarez i misionit të KFOR-it falënderoi ambasadorin Tolkach për kontributin e vlefshëm të Ukrainës. “Do doja të shprehja mirënjohjen time ndaj kontingjentit të Ukrainës dhe për profesionalizimin që ata kanë treguar dhe kontributin e përditshëm në garantimin e sigurisë dhe lëvizjes së lirë të të gjithë njerëzve në Kosovë, që nga viti 1999.”

Gjatë vizitës së tij, ambasadori Tolkach u takua edhe me përfaqësues të kontingjentit të trupave ukrainase të vendosura në misionin e KFOR-it, përfshi personeli që shërben në Grupin e Përbashkët të Mbështetjes Logjistike të KFOR-it, si pjesë e Detashmentit për Lirinë e Lëvizjes.

Në misionin e KFOR-it kanë shërbyer 40 ushtarë ukrainas. Por, ata presin të kthehen në Ukrainë së shpejti, për t’i dalë në ndihmë shtetit të tyre.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një dekret në muajin mars, duke kërkuar nga të gjithë pjesëtarët profesionistë të ushtrisë, që janë në misione paqeruajtëse në botë, të kthehen në Ukrainë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat