Lavrov ofendon paturpësisht viktimat e Reçakut, akuzon UÇK-në

Lajme

Lavrov ofendon paturpësisht viktimat e Reçakut, akuzon UÇK-në

Më: 18 korrik 2022 Në ora: 11:22
Sergei Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov ka krahasuar masakrën e Buchës të kryer nga ushtria ruse në Ukrainë, me masakrën e Reçakut.

Sipas Lavrovit, të dyja janë të inskenuara.

Në një artikull të publikuar në gazetën “Izvestia”, Lavrov tha se regjimi ukrainas po realizon “inskenime gjaku për të demonizuar Rusinë në sytë e komunitetit ndërkombëtar”.

Në vijim të shkrimit të tij, Lavrov përmendi rastin e masakrës së Reçakut, të kryer nga regjimi shovinist i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Lavrov pretendon se masakra e Reçakut nuk ekziston.

“Një grup inspektorësh të OSBE-së mbërrin në vendin e zbulimit të disa dhjetëra kufomave të veshur si civilë. Kreu i misionit menjëherë, pa asnjë hetim, bëri të ditur se bëhet fjalë për gjenocid, megjithëse nuk është mandat i një zyrtari ndërkombëtar të bëjë konkluzione të tilla”, shkroi Lavrov.

“NATO filloi menjëherë një agresion të armatosur kundër Jugosllavisë, duke shkatërruar qëllimisht urat, trenat e pasagjerëve dhe objekte të tjera civile. Më vonë, sigurisht rezultoi se të vrarët nuk ishin civilë, por militantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të maskuar në rroba civile”, vazhdoi Lavrovi të fyejë paturpësisht viktimat shqiptare.

Lavrov, tutje shkroi se “qëllimi i agresionit ishte ndarja me forcë e Kosovës nga Serbia dhe krijimi atje i bazës më të madhe ushtarake amerikane në Ballkan, Bondsteelit”.

Masakra e Reçakut ishte masakrimi i 45 shqiptarëve nga Kosova në fshatin Reçak, me 15 janar 1999. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara.

Ai deklaroi: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time.”

Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të Natos në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat