“Derisa unë me djem jam gjallë, pushkën nuk e lëshojmë”, historia e ushtarëve bab e bir të UÇK-së nga Peja

Lajme

“Derisa unë me djem jam gjallë, pushkën nuk e lëshojmë”, historia e ushtarëve bab e bir të UÇK-së nga Peja

Më: 19 korrik 2022 Në ora: 09:41
Qerim e Milazim Berisha

Qerim e Milazim Berisha, bab e bir nga Ruhoti i Pejës, janë dy luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan GazetaDemos.

Një pjesë e historisë së tyre gjatë periudhës së luftës, është nga bashkëluftëtari i tyre, Gazmend Syla.

Ai në një shkrim në Facebook, ka rrëfyer se si në kohë të luftës u takua me ta, e që një fjalim nga ta që akoma e mban mend është kur iu tha se “derisa unë me djem e ushtarë që i kam në Lugdrin të jemi gjallë, pushkën nuk e lëshojmë”.

Një pjesë nga historia e tij:

Milazim Berisha është një prej djemve më të dashur për të gjithë bashkëluftëtarët.

Mili, siç e kishte pseudonimin në luftë, është djali i Mixhes së ndjerë, Qerim Berishës nga Ruhoti.

Mixha me djemtë e tij, u nis për në Gllogjan, që në krismat e para të luftës për liri. Edhe pse ishte punë me shumë rrezik, organizimi i UÇK-së në Lugun e Drinit, asokohe, Mixha e Mili, nuk u ndalën asnjëherë.

Kujtoj në kohën pas ofenzivës së shtatorit, kur në Shtabin e Zonës në Jabllanicë kishte shumë pak ushtarë, në një ditë me mjegull, vërejtëm se dy burra po vinin në drejtim të Shtabit. Sa më shumë afroheshin, aq më shumë dallonim figurën e tyre. Ishte Mixha, një mezoburrë dhe mbrapa tij i biri dhe bashkëluftëtari i tij, Mili. E mbaj mend gëzimin e komandantit Ramush Haradinaj, kur i takoi. Fytyra e tij reflektonte gëzim dhe respekt. Në bisedë e sipër, Mixha i tha Komandantit që “derisa unë me djem e ushtarë që i kam në Lugdrin të jemi gjallë, pushkën nuk e lëshojmë”. Nëse nuk më mashtron kujtesa, Komandanti atë ditë i kishte dhuruar Mixhes një “dhuratë” , e ai me Milin nuk kishin ardh të qëndronin, sepse u kthyen në detyrat e tyre në Lug të Drinit, por thjeshtë të na bënte me dije, se pushkët e asaj ane, ishin ende me barut.

S’kishte si të mos më mbeteshin në zemër këta dy burra.

Milin e takova prapë, në një moment sa solemn aq edhe me rrezik. Pas kapitullimit të Jugosllavisë, ishim ngarkuar disa bashkëluftëtarë të tjerë, që të futeshim në qytetin e Pejës, nga pjesa lindore e tij. Rreziku ishte i madh, sepse mund të ballafaqoheshim me forca armike, mina që ata i kishin vendosur e shumë të panjohura të tjera. Ne u nisëm nga Mazniku, e nëpër Rasuja kaluam në drejtim të Lugut të Drinit, ku pushuam në Ruhot. Aty, Mili vullnetarisht vet i treti apo katërti, u bashkëngjit me neve dhe kemi pasur nderin që të futemi në Pejë, si të parët luftëtarë të uniformuar të UÇK-së.

Mili vazhdoi aktivitetin në TMK, e punë të ndryshme, deri në sigurim objektesh, por jeton me nderë dhe gëzon respektin e të gjithëve.

E pret pensionin e luftëtarit, nuk flet për luftën edhepse bashkëluftëtarët e përshkruajnë si një nga luftëtarët më të zotë që kishte Dukagjini e Kosova.

Disa muaj më parë, Milit i vdiq babai, Mixha Qerim. Tani ai e ka edhe një barrë për ta mbajtë në supe: Emrin e babait të tij.
Por, Mili mbetet i njëjti. Luftëtar shembullor në sfidat e jetës, burrë trim, i ndershëm e i sinqertë, ashtu si burrat e motit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat