Rusia sërish thur lëvdata për kriminelët serbë të luftës, kërkon lirimin e Ratko Mladiqit

Lajme

Rusia sërish thur lëvdata për kriminelët serbë të luftës, kërkon lirimin e Ratko Mladiqit

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 19:19
Ratko Mladiq

Nuk është hera e parë që Rusia iu thur lëvdata kriminelëve serbë të luftës.

Kësaj radhe, Ministria ruse e Punëve të Jashtme me anë të një shkrimi në Twitter, duke komentuar gjendjen shëndetësore të Ratko Mladiqit, ka kërkuar lirimin e tij, siç e kanë quajtur për arsye humanitare.

“Ne kemi parë raportimet e mediave për shtrimin në spital të Ratko Mlladiqit, në Hagë, i shkaktuar nga përkeqësimi i shpejtë i shëndetit të tij. Ne besojmë se do të ishte vendimi i duhur që të lirojë Ratko Mlladiqin për arsye humanitare”, thuhet në reagimin e tyre.

Është raportuar se ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës e Hercegovinës, i cili po vuan dënimin me burg të përjetshëm në Hagë për krime lufte, është shtruar në spital dhe është në “shëndet të dobët”.

Në qershor të vitit 2021, ishte konfirmuar dënimi i përjetshëm të Ratko Mlladiqit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë konfliktit të vitit 1992 deri në vitin 1995.

Ai u shpall fajtor për gjenocid për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës, kur forcat serbe të Bosnjës e Hercegovinës vranë rreth 8,000 burra, gra dhe fëmijë myslimanë në korrik të vitit 1995.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat