Vuçiqi e pranon presionin ndaj Serbisë: Ka nervozizëm në Perëndim!

Lajme

Vuçiqi e pranon presionin ndaj Serbisë: Ka nervozizëm në Perëndim!

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 16:50
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar se po shtohet presioni i Perëndimit ndaj Serbisë.

Në një deklarim për media të mërkurën, Vuçiq ka thënë se ai lufton vetëm për Serbinë dhe nuk lufton për asnjë lider.

“Po ka presion të madh, e kam thënë këtë edhe para katër muajve se nga 15 shtatori presioni do të jetë i padurueshëm. Unë nuk luftoj as për Putinin e as për Bidenin. Nuk më intereson fare se çfarë mendon asnjë lider i huaj. Luftoj për popullin e Serbisë. Duam të mbajmë llogari për Serbinë, për interesin tonë. Po e them ka mungesë durimi, nervozë të madhe, e këtu në Serbi po angazhohen të gjitha grupet për presion si mediat, partitë politike, si për njërën ashtu edhe për palën tjetër, ato palë që po paguhen”, ka thënë Vuçiq.

Derisa tha se do të ketë takime të rëndësishme në ditët në vijim, Vuçiq e përmendi edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Do të takohem të premten me eurodeputetët, me të dërguarin gjerman, pastaj të shtunën në Bullgari me Ursula von der Leyenin. Të shohim se çfarë po ndodh rreth të ashtuquajturës Kosovë dhe Këshillit të Evropës, më 4 dhe 5 do të shohim këtë, më 7 është Samiti i madh i politikës së përbashkët”, u shpreh Vuçiq.

Ai më tej tha se Serbia ka qëndruar pa i vënë sanksione Rusisë për 210 ditë, duke mbajtur politikë të qëndrueshme.

Serbia është përballur me kritika të ashpra për marrëveshjen e nënshkruar nga ministri i Jashtëm i saj, Nikola Selakoviq me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, për konsultim për politikë të jashtme.

Marrëveshja ishte nënshkruar në New York në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat