Gjurmimi i të ëmës zbuloi bazën ku fshihej Nuredin Dumani në Gjilan, si “e çau rrethimin” dhe u iku policëve “sy më sy”

Lajme

Gjurmimi i të ëmës zbuloi bazën ku fshihej Nuredin Dumani në Gjilan, si “e çau rrethimin” dhe u iku policëve “sy më sy”

Më: 8 tetor 2022 Në ora: 17:04
Nuredin Dumani

Të tjera detaje kanë dalë nga operacioni i dështuar për kapjen e Nuredin Dumanit në Gjilan të Kosovës. Ky dështim ka ngritur dyshime të forta se kordoni rrethues i skuadrës operacionale dhe FAST mund ta kenë lejuar vetë ikjen e Dumanit.

Gjithashtu dyshohet se efektivë të forcave speciale policore kanë ndihmuar në arratisjen e të shumë-kërkuarit Nuredin Dumanit drejt Kosovës.

Gjithçka nisi në muajin shkurt dhe mars të vitit 2022, ku anëtarë të dy njësive speciale policore, skuadrës operacionale dhe FAST kanë qenë në Kosovë, me qëllim arrestimin e të shumëkërkuarit, Nuredin Dumani.

Ai kishte dy vite që kërkohej nga policia për vrasjen e Bujar Çelës në Elbasan dhe dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia në Durrës. Në rrugë operative policia kishte rënë në gjurmët e Dumanit dhe njëherësh në fillim të vitit 2022, kishte zbuluar bazën se ku fshihej ai në Gjilan.

“Ora News” mëson se FAST ka ndjekur disa herë nënën e Dumanit nga Durrësi në drejtim të Kosovës, shtet në të cilën ajo shkonte blinte rroba të përdorura dhe i tregtonte në Durrës.

Ky gjurmim ka krijuar bindjen te oficerët e policisë së Dumani fshihej në Kosovë.

Skuadrat policore rrethuan pallatin ku fshihej Dumani, por megjithëse informacioni ishte i saktë se Dumani ndodhej në apartament, si operacionalja dhe FAST, nuk mundën ta kapin duke u kthyer duarbosh në Tiranë.

Momenti i rrethimit dhe dështimit policor, ka dalë 1 muaj e gjysmë më vonë, duke u treguar nga vetë Dumani para prokurorëve të SPAK.

Më pas, Dumani hyri në mesin e muajit Mars në territorin e Shqipëri, duke përdorur pikën kufitare të Morinës në Kukës.

Kujtojmë se Dumani u arrestua mbrëmjen e 29 Marsit 2022, në një apartament në Fier, ku ai kishte mbetur i plagosur në atentatin e Papërit, në një përballje me Talo Çelën, të cilin kërkonte ta eliminonte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat