Gjukanoviç provokon shqiptarët në Tuz për Skënderbeun dhe Nënë Terezën

Lajme

Gjukanoviç provokon shqiptarët në Tuz për Skënderbeun dhe Nënë Terezën

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 14:48
Milo Gjukanoviçi

Një sherr i panevojshëm është vënë re këto ditë në mes shqiptarëve të Malit të Zi, që sipas gjasave, është inskenim për të helmuar mjedisin në pragun e fushatës së zgjedhjeve lokale.

Qeveria e Malit të Zi, e drejtuar nga Dritan Abazoviç, me vendim të ministrit shqiptar të Administratës Publike, ka miratuar një vendim sipas të cilit kopshti i Tuzit “Gjina Vrbica”, që varej nga bashkia e Podgoricës, t’i jepet nën administrim komunës së Tuzit, e të riemërtohet me emrin e shenjtores “Nënë Tereza”.

Vendimi i ministrit Dukaj, nuk është ekskluziv për Tuzin, por është pjesë e disa vendimeve për të decenteralizuar kompetencat e pushtetit vendor.

Në 30-vjeçarin e qeverisjes së Milo Gjukanoviçit në Mal të Zi, shumë nga komunat shqiptare ishin të pafuqishme në kompetenca, pasi një pjesë e madhe e enteve mbetën ose në duar të pushtetit qendror, ose të bashkisë së Podgoricës, që ka statusin e kryeqytetit.

Njësia Administrative e Tuzit ka vetëm pak vite që ka marrë statusin e komunës, pasi ka qenë një minibashki e Podgoricës.

Ndërkaq, në Ulqin, ndërmarrjet më të rëndësishme të administrimit të të mirave detare kanë qenë pjesë e pushtetit qendror.

Kopshti “Nënë Tereza”, megjithatë, siç ndodh shpesh në punë shqiptarësh, hasi në polemika të kota dhe toksike në mjedisin e qytezës së Tuzit.

Adrian Pepiç, megjithëse një shqiptar etnik, është këshilltar në bashkinë e Tuzit si i zgjedhur i Partisë Boshnjake, e cila përfaqëson të drejtat e boshnjakëve në vend.

Pjesë e një familje të njohur në zonën e Malësisë, Pepiç, është pjesë e Bosanska Stranka, për të cilën votojnë mjaft qytetarë të besimit musliman.

E në një fjalim publik, Pepiç ka kundërshtuar emërtimin e kopshtit “Nënë Tereza”. Sipas tij, kjo është një shkelje e të drejtës sekulare të Malit të Zi, kur në fakt vendimi i qeverisë thjesht ka pasur qëllimin për të nderuar një figurë të njohur shqiptare. E cila është vetmja shqiptare e laureuar me çmimin “Nobel për Paqe”. E natyrisht ky fjalim toksik, ka mërzitur mjaft banorë të Malësisë, edhe të besimit katolik që atje janë me shumicë, por edhe të besimit musliman. Që duhet thënë jo vetëm nuk ka pasur probleme mes vetes, por gjithnjë kanë shkuar mirë e në harmoni.

Albert Bikaj, një intelektual i ri i Malësisë, i cili është një simpatizant i së djathtës politike, e ka konsideruar qëndrimin e Pepiçit “të turpshëm”.

“Nënë Tereza, me të vërtetë është shenjtore e Kishës Katolike, por në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, fetar dhe sekular, figura e saj shkon përtej këtij kufizimi. Nënë Tereza njihet si humaniste e madhe – fituese e çmimit Nobel. E para së gjithash ajo është figure e lartë e kombit tonë shqiptar – komb i cili nuk njeh ndasi apo kufizime fetare, pasi jemi një. Prandaj, me të dhe kontributin e saj krenohemi të gjithë, jo vetëm në Malësi, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në mbarë globin”, shkruan Bikaj në faqen e tij në “Facebook”.

Ndërkaq, në Tuz, është rihapur debati për vendosjen e Monumentit të Skënderbeut, i cili është miratuar vazhdimisht edhe nga Podgorica, por edhe nga kryetarët e Komunës Tuz.

Por gjithmonë, se ç’ ka një “kleçkë”…

Xheladin Zeneli, një shqiptar i Malësisë, shkruan në portalin Malësia.org se vendosja e monumentit të Skënderbeut është zvarritur pa asnjë logjikë.

“Këtë muaj, përkatësisht me 30 Tetor të këtij viti bëhen plot katër vite nga dita kur kuvendi i Komunës së Ulqinit, ka miratuar ngritjen e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në rrethin e qarkullimit rrugor që gjendet në bulevardin kryesor të këtij qyteti i cili që mban emrin e heroit tonë kombëtar.

Ky vendim është aprovuar edhe nga Ministria e Kulturës në Mal të Zi. Pjesën financiare të ndërtimit të monumentit që nga fillimi, e ka marrë përsipër mërgata shqiptare në SHBA, përkatësisht Fondacioni “Dom Simon Filipaj” me seli në New York, i cili në bashkëpunim me OJQ “Don Gjon Buzuku” në Ulqin kanë kontraktuar projektuesin dhe ndërtuesin e monumentit në fjalë.

"Pas tejkalimit të shumë peripecive ligjore e administrative, pengesave të ndryshme, ndër të tjera edhe lidhur me atë se si do të shkruhet emri i heroit në piedestal etj., megjithatë ky projekt ka mbetur ende pa u realizuar”, shkruan Zeneli.

Që nga viti 2018 kur është aprovuar vendimi për realizimin e këtij projekti janë ndërruar tre kryetarë komune, por asnjëri prej tyre deri më sot, nuk ka arritur që ta vendosë nënshkrimin e tij në ekzekutimin e vendimit për realizimin e monumentit në fjalë. Sipas Zenelit, “paraqet një paradoks fakti se si këto parti nacionale shqiptare në fushatat e tyre parazgjedhore valvisin flamurin kuq e zi, pra “flamurin e Skënderbeut”, dhe thirren në identitetin, kulturën, traditën dhe historinë tonë kombëtare shqiptare e mbledhin vota në emër të patriotizmit, por kur është puna për të vepruar konkretisht në ngritjen e monumentit të heroit tonë kombëtar në Ulqin, përveç ndonjë zëri të vetmuar, ata me heshtjen dhe ngurrimin e tyre kanë qenë shumë pasiv dhe pa ndikim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat