​Festivali ‘Shliroj cicat’ ka zhvilluar panel diskutimi me të mbijetuarat nga kanceri

Lajme

​Festivali ‘Shliroj cicat’ ka zhvilluar panel diskutimi me të mbijetuarat nga kanceri

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 17:30
Foto ilustrim

Festivali ‘Shliroj cicat’ ka zhvilluar panel diskutimi me të mbiejtuarat nga kanceri, me qëllim të vetëdijesimit të grave për rrezikun nga kanceri i gjirit, të mësojnë gratë se si të bëhet vetë testimi, dhe të bëhen kontrolla më të shpeshta, në mënyrë që të zbulohet më herët kanceri i gjirit.

Arnisa Osmani, e mbijetuar nga kanceri i gjirit në Kosovë, ka rrëfyer historinë e saj se si ka ardhur deri tek zbulimi dhe tejkalimi i kësaj sëmundje. 

Ajo tregoi se sa rëndë e ka përjetuar lajmin për kancer të gjirit, derisa shtoi se fati në fatkeqësi në këtë rast për të ka qenë falë onkologut të mirë që ka trajtuar rastin e saj.

Osmani: Ditën që me kanë thënë qe kam kancer jam mbyll vetëm në dhomë

“Kam shku në kontroll, mjekja ka filluar të më kontrolloj me eho dhe e ka vërejtë një gjëndërr më ka thënë nuk duket që është e mirë dhe më ka thënë se është 99% e keqe e 1 për qind e mirë....Mirëpo çdo gjë që më ka ndodh brenda katër viteve ka qenë fati në fatkeqësi, sepse kam pas një mjek tepër të mirë kirurg dhe një onkolog shumë të mirë. Stafi ka qenë i shkëlqyeshëm, në atë kohë kur unë jam trajtu kanë munguar disa nga barnat. Mirëpo ditën që më kanë thënë që kam kancer jam mbyll vetëm në dhomë e kam përmbledhë veten dhe i kam thënë vetes se duhet të shkosh deri në fund, të luftosh se s’ke zgjidhje tjetër dhe sot jam së bashku me ju”, ka rrëfyer Osmani.

Arbela Statovci, po ashtu e mbijetuar nga kanceri i gjirit në Zvicër mes lotëve ka treguar sfidën e saj me këtë sëmundje.

Statovci: Kur e kam kuptuar se kam kancer, kam qajtë para onkologut

“Te unë është shfaqur diagnoza vitin e kaluar. Duke hequr sytjenat, duke u përgatitur për shtrat e kam prek gjirin në anën e majtë, pashë një nyje shumë të fortë. Kur shkova në vizitë, gjinekologut filloi t’i zbehet fytyra. E thirr kirurgun, edhe ai thotë po. Atë moment, më erdhi diagnoza që kam kancer në shkallën e tretë. Kam qajtë pesë minuta para onkologut, kam qenë shumë e angazhuar dhe të gjithëve me radhë i’a kam dërguar një mesash me zë, që këtë muaj duhet të më presin, pasi ndoshta kam kancer...12:34 Por unë e kam pas fatin në fatkeqësi me qenë në Zvicër, një barrë që kanë shumë gra në Kosovë, unë nuk e kam pas, por prapë se prapë, terapinë, rrezatimet, operimet, dhimbjet i kemi pas të njëjta. Kështu që këtë vit kam kry rrezatimet dhe kam filluar 100% të punojë”, tha ajo.

Arta Kameri-Jusufi onkologe, ka thënë se aktivitetet të cilat i bëjnë me ndarjen e fletushkave, ligjëratave e të tjerat, kanë pasur ndikim pozitiv te shumë femra dhe gra. Sipas saj të gjitha këto aktivitete kanë rezultuar me sukses, pasi diagnostikimi po bëhet në fazat më të hershme.

Jusufi: Aktivitetet të cilat i bëjmë kanë ndikuar edhe në statistikat tona në klinikën e onkologjisë

“Kjo temë e hapur ka ndikuar edhe në statistikat tona në klinikën e onkologjisë të cilat i posedojmë, saqë kemi parë që diagnostikimi është bërë më i hershëm. Stadi i parë dhe i dytë i diagnostikimit veç se është duke u rritur, ndërsa në stadin e tretë dhe të katër është më i ulët diagnostikimi, që d.m.th. se këto aktivitete kanë bërë që edhe ne të shohim suksesin e punës së diagnostikimit. Përveç këtyre formave të aktivitetit kemi një qasje pozitive të sëmundjes, dhe duhet të vazhdojmë ta kemi këtë qasje, sepse një qasje e mirë ndaj sëmundjes e rrit prevalencën në jetëgjatësi. Jetëgjatësia dhe mbijetesa tani prej kancerit të gjirit është shumë më e madhe”, tha ajo.

Ky edicion, ndryshe nga ai i vitit të kaluar i cili zgjati vetëm një ditë, kësaj here do të mbahet në datat 13 deri më 16 tetor.

Në ditën e fundit të këtij festivali, më 16 tetor, ‘Shliroj Cicat’ sjell për herë të parë në Kosovë edhe maratonën e madhe evropiane kundër kancerit të gjirit ‘Race for the Cure’.

Muaji tetor, shënon muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat