Vatra jep mbështetjen e fortë të saj për Çështjen e Popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës

Lajme

Vatra jep mbështetjen e fortë të saj për Çështjen e Popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës

Nga: Rafaela Prifti Më: 18 tetor 2022 Në ora: 21:28
Takime Historike me Përfaqësuesit Politik të Luginës së Preshevës gjatë vizitës së tyre në Amerikë

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës muajt e ardhshëm mund të jenë “shansi i fundit” për t’ju njohur të drejtat e tyre por për t’ju përgjigjur momentit faktori shqiptar si edhe bashkatdhetarët në Amerikë “duhet të jenë të bashkuar me mendje dhe zemër.”

Në takimin e mbrëmshëm me delegacionin e Luginës së Preshevës të cilin Kryetari i Vatrës e quajti “historik” zyrtarët e Vatrës garantuan “se do të jenë në krah të tyre duke qenë të harmonizuar me strategjinë kombëtare të Vatres dhe në një vijë me politikën e jashtme amerikane.” Nga ana e tyre pjesëtarët e delegacionit u fokusuan te “përfshirja e cështjes së të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë Serbi si mënyra e vetme për ta lëvizur shtetin serb,” thanë ata. Të pranishmit vleresojnë se muajt e ardhshëm janë një periudhë shumë kritike gjatë të cilës angazhimi i administrates amerikane është në rendin e ditës.

Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin serb dhe Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafa, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, Nagip Arifi, Kryetar i Komunës Bujanoc, Ragmi Mustafi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës thanë se përbëjnë “diku rreth 80 për qind të fuqisë elektorale të popullsisë shqiptare” për shkak të ekzistencës së disa partive të vogla dhe grupimeve të tjera në Luginë. Kjo është vizita e tyre e dytë në Amerikë në një hapësirë katërmujore. Faton Bislimi nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane përmblodhi vizitën e kësaj radhe dhe atë të qershorit në kontekstin e synimeve dhe pritshmerisë për të ardhmen e afërt. Krahasimi i gjendjes së tanishme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me terrorin fizik dhe psikik të shtetit serb mbi popullsinë shqiptare në Kosovë në vitet ’90, është i qartë për shqiptarët e Kosovës, tha Kryetari i Vatrës, Elmi Berisha

“Ekzistojnë tri marrëveshje në letër të cilat nuk respektohen dhe nuk zbatohen nga autoritetet serbe. Ky realitet ilustron nga njëra anë dobësinë e Brukselit për të imponuar marrëveshjet e nënshkruara nga pala serbe ndërkohë që zbulon hipokrizinë e shtetit serb kur vjen fjala tek standartet për pakicat etnike, por cka është me rëndësi është evidentimi i rëndësisë së angazhimit të autoriteteve amerikane,” tha deputeti Shaip Kamberi.

Situata në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegj të cilat historikisht i takonin vilajetit të Kosovës deri në ndryshimin e kufijve në fillim të shekullit të 20 në kohën kur këto territoret shqiptare u shkëputen dhe iu dhanë Serbisë, është sot shumë e rëndë, thanë anëtarët e delegacionit. “Këto komuna me shumicë shqiptare po përjetojnë zbrazje me ritme të shpejta në dy dhjetëvjecarët e fundit, nga koha pas luftës së Kosovës e deri më sot,” vërejti Ragmi Mustafa, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë. “Demoralizimi i popullsisë nuk kryehet me tanksa, mitroloza e autoblinda por nëpërmjet pengimit të pjesëmarrjes në organet shtetërore, mosnjohjes së diplomave të universiteteve të Kosovës, fshirjes nga regjistri civil që sjell humbjen e pronës, letrave të identidetit nderkohë që rreth 75 për qind e popullsisë së aftë për punë është e papunësuar,” tha ai.

“Në arenën e re politike të krijuar nga lufta në Ukrainë,” tha Nagip Arifi, Kryetar i Komunës Bujanoc, “është hapur një mundësi e re. Në muajin tetor në marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe OSBE-në ka filluar regjistrimi i popullsisë në komuna.” Ndërkohë përfaqësuesit ndërkombetar vecanërisht autoritetet amerikane janë të gatshëm të na degjojnë, vërejti ai, duke e cilësuar vizitat në Shtetet e Bashkuara në hapësirën katërmujore “shpresëdhënëse”. Por, njëherit theksoi se koha është e kufizuar. Ndër faktorët e jashtëm, agresioni rus në Ukrainë e ka vështiresuar disi lojën e dyfishtë të Vucicit për të luajtur me evropianet dhe sanksionet ndaj Rusisë ndërkohë që është aleat historik i Putinit.”

“Pjesa më e vështirë e rajoneve ku jetojnë shqiptarët sot është Lugina e Preshevës që përballet me një shtet që përdor levat serbe për destabilizim e rajonit,” tha Shaip Kamberi. Anëtarët e delegacionit thanë se përballë situatës së rënduar, e vetmja zgjidhje është angazhimi i administratës amerikane për cështjen e të drejtave të shqiptarëve, temë e cila e diskutua në takimin me të dërguarin e posacëm të administratës amerikane, Escobar. Dhe pa humbur kohë duhet filluar me përfshirjen në dialogun Serbi Kosovë, tha Ragmi Mustafi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës. Cështja e të drejtave të pakicave është e garantuar nga Bashkimi Evropian dhe Kosova ka ndarë fonde të vecanta për këtë si edhe i ka mbështetur vizitat e tyre në Amerikë por kjo nuk mjafton, tha ai.

Deri tani trajtimi i popullsisë shqiptare në Luginë e Preshevës nuk është vendosur si pikë e dialogut Prishtinë Beograd ndërsa ka gjendja e shqiptarëve aty është në pikë shumë kritike. Për t’a sjellë në qendër të vëmendjes temën e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës kemi pasur takime me kongresistin Jim McGovern i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme dhe grupin shqiptar në Kongres, tha Faton Bislimi I Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane e cila është zë dhe pjesë e rëndësishme e cështjes kombëtare të shqiptarëve në Uashington. “Një seancë dëgjimore,” tha Faton Bislimi do jetë pjesë e fushatës, dhe paralelisht synojmë të krijojmë një bazament institucional enkas për këtë cështje në Amerikë.”

“Vatra do t’ju ketë partnerë në strategjinë kombëtare të hartuar në koordinim me vijën e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe vendet amë,” tha Kryetari i Vatrës Elmi Berisha. Ky ishte mesazhi që përcollën përfaqësuesit e Vatrës në takim Agim Rexha, Nazo Veliu, Pashko Camaj të cilët shprehen me radhë përkrahjen si Vatranë dhe si shqiptarë.

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës muajt e ardhshëm mund të jenë “shansi i fundit” për t’ju njohur të drejtat e tyre. Por për t’ju përgjigjur momentit faktori shqiptar si edhe bashkatdhetarët në Amerikë “duhet të jenë të bashkuar me mendje dhe zemër,” sic tha Ipeshkvi i Kosovës, pjesëmarrës në takimin e mbrëmshëm, Imzot Dodë Gjergji

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat