Eksperti kroat: Incidenti me dronë në Serbi, përpjekje e Vuçiqit për të larguar vëmendjen

Lajme

Eksperti kroat: Incidenti me dronë në Serbi, përpjekje e Vuçiqit për të larguar vëmendjen

Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Eksperti i politikës së jashtme, kroati Branimir Vidmaroviq, ka komentuar për portalin kroat “Direktno” për tensionet e reja mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat kulmuan pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, urdhëroi shkatërrimin e dronëve që u pretendua se vinin nga Kosova dhe tentonin të spiunonin ushtrinë serbe.

“Ata vijnë nga Kosova dhe na spiunojnë”

Paniku kolektiv pushtoi Serbinë të martën pasi u pretendua se disa dronë u vunë re mbi qiejt e saj, duke bërë që lideri serb Vuçiq të ngritë mbrojtjen ajrore dhe të urdhërojë “shkatërrimin e dronëve të armikut”. Presidenti serb nuk është deklaruar që atëherë, por ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ia ka përcjellë publikut urdhrat e tij, duke shtuar se “dronët vijnë nga territoret e Kosovës”, shkruan Klankosova.tv.

“U vunë re disa fluturake, kishte lëvizje të ndryshme, disa po hynin në Serbinë qendrore, disa lëviznin përgjatë vijës administrative, nuk ishte një sulm i vetëm dhe po vinin nga të paktën dy drejtime”, tha  ministri serb, i cili beson se dronët u shfaqën mbi qiellin serb “për të marrë të dhëna përmes spiunazhit”.

Kosova i hedh poshtë akuzat

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka hedhur poshtë pretendimet se fluturakja e vërejtur mbi zonën e Rashkës ka ardhur nga territori i Kosovës dhe i ka vlerësuar këto akuza si “arsyetim për shtimin e numrit të trupave të ushtrisë serbe rreth kufirit me Kosovën” dhe “mjet për përhapjen e panikut te qytetarët”.

Që vërtet nuk bëhet fjalë për dronë të Kosovës, nuk do të habitej as eksperti Vidmaroviq, i cili paralajmëron mundësinë që i gjithë ky incident i pretenduar të jetë vetëm përpjekje e Vuçiqit për të larguar vëmendjen nga kritikat e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë. Kujtojmë se BE-ja në disa raste ka përsëritur pritjet e saj që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë evropiane dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Vidmaroviq: Ka mundësi që të jenë dronë serbë dhe jo të huaj

“Ende nuk është e qartë se ku janë shfaqur dronët dhe të kujt janë, askush nuk e merr përgjegjësinë. Ka shumë mundësi që në fakt nuk janë dronë të huaj, por janë serbë që janë vendosur në mënyrë të tillë për të tërhequr vëmendjen. Gjëra të tilla duhet të merren gjithmonë parasysh”, paralajmëron Vidmaroviq, duke shtuar: “Në kohën kur presioni ndaj Serbisë po rritet për t’iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian, kur retorika që Serbia të zgjedh anë po forcohet, më duket disi logjike që Vuçiqi po përpiqet të tërheqë vëmendjen për disa gjëra të tjera, dhe Kosova dhe disa dronë të çuditshëm janë një justifikim i mirë për këtë”.

Vidmaroviqi nuk u bind as nga kërcënimet e Vuçiqit për eliminimin e dronit.

Probleme me targat

“Kjo zakonisht është një shfaqje e muskujve sepse çdo lider duhet të jetë i vendosur dhe duhet t’u përgjigjet gjërave të tilla. Nga ai pritet dhe ai përgjigjet ndaj pritshmërive të tilla”, thotë Vidmaroviqi, i cili në fund të bisedës thekson se për momentin dronët nuk janë problem real në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por këto janë tashmë probleme që dalin nga çështja e targave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat