Serbia lidh kontrata pune me serbët e dorëhequr në Kosovë

Lajme

Serbia lidh kontrata pune me serbët e dorëhequr në Kosovë

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 15:02
Serbët e dorëhequr nga institucionet e Kosovës duke nënshkruar kontratat e ofruara nga Serbia, Mitrovicë e Veriut, 17 nëntor 2022.

Në katër komunat në veri të Kosovës, sot ka filluar nënshkrimi i kontratave ndërmjet shtetit të Serbisë dhe serbëve që kanë braktisur institucionet e Prishtinës.

Kështu ka njoftuar Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes së cilës po bëhet lidhja e kontratave.

Në komunikatë nuk është shpjeguar se në cilat institucione serbe do të angazhohen ata, por është thënë se pagesat do të dalin në llogaritë e punëtorëve në dhjetor.

Megjithatë, në komunikatë është thënë se këta punëtorë do t'i kenë nga shteti i Serbisë të gjitha të ardhurat që kanë marrë nga institucionet e Kosovës.

“Në këtë mënyrë po përmbushet premtimi i dhënë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qytetarëve tanë në Kosovë e Metohi, të cilët kanë dalë nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilin prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahje të shtetit”, thuhet në komunikatë.

Institucionet e Kosovës nuk e kanë dhënë numrin e saktë të serbëve të dorëhequr, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se numri i tyre është rreth 3.500.

Sipas njoftimit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me këto kontrata, serbët që i kanë braktisur institucionet “do t’i rregullojnë të gjitha obligimet juridike nga marrëdhëniet e punës, ato pensionale, sigurimet shëndetësore etj.

Rikujtojmë se nga java e parë e nëntorit, qindra serbë të Kosovës janë dorëhequr nga institucionet e Kosovës përfshirë Policinë, Gjykatën, Prokurorinë si dhe institucionet lokale e qendrore.

Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në veri të vendit, të cilat Kosova i konsideron të jashtëligjshme.

Nga 21 nëntori, Qeveria e Kosovës pritet që të nisë shqiptimin e gjobave për ata që ende nuk e kanë bërë këtë riregjistrim./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat