Me këtë fotogradfi, Abdixhiku përkujton Xhemail Mustafën

Lajme

Me këtë fotogradfi, Abdixhiku përkujton Xhemail Mustafën

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 10:13
Xhemail Mustafa

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Xhemail Mustafën në 22-vjetorin e vrasjes së tij.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së thotë se vrasja e tij në hyrje të banesës ishte tronditje e madhe jo vetëm për familjen dhe rrethin e bashkëpunëtorëve, por për mbarë vendin e sapodalë nga lufta.

“Më 23 nëntor të vitit 2000 u shua mizorisht nga jeta Xhemail Mustafa, njëri ndër kolosët e lëvizjes politike të viteve ’90. Vrasja e tij në hyrje të banesës ishte tronditje e madhe jo vetëm për familjen dhe rrethin e bashkëpunëtorëve, por për mbarë vendin e sapodalë nga lufta. Vrasja e Xhemail Mustafës ishte goditje e rëndë ndaj vlerave më të larta të kombit dhe të vetë demokracisë, për të cilën ai nuk u ndal së punuari gjatë gjithë jetës”.

Abdixhiku tutje thotë se roli dhe kontributi i Xhemail Mustafës në rrugëtimin për liri dhe pavarësi është i pashoq, eliminimi i tij nga dora e zezë që nuk ia deshi të mirën Kosovës ishte vetëm eliminim fizik, ngase ideali i tij për shtetndërtim nuk u ndal asnjëherë, e vazhdon të jetë inspirim për gjeneratat që vijnë.

“Xhemail Mustafa ishte profil shumëdimensional i shkrimtarit, publicistit, gazetarit e këshilltarit politik, bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Rugova. Ai ka punuar si redaktor në fushën e kulturës në gazetën ‘Rilindja’, pastaj zelli i tij prej një doajeni të gazetarisë e informimi të opinionit publik vazhdoj edhe në QIK (Qendrën Informative të Kosovës) deri në momentet e vrasjes së tij. Sot, edhe pas 22 vjetësh, përderisa vrasja e tij mbetet e pazbuluar për familjen, LDK-në dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, dhimbja bëhet edhe më e madhe çdoherë. Edhe sot kur kanë kaluar më shumë së dy dekada nga vrasja e Xhemail Mustafës, ai mbetet figura e njeriut modest, të qetë, fjalëpak që rrezatonte mirësi e maturi. I tillë do të jetë nderimi për jetën dhe veprën e tij. I përjetshëm kujtimi për Xhemail Mustafën”, shkroi mes të tjerash Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat