Petkoviq: Deklarata më e turpshme e BE-së mori përgjigjen që meriton nga presidenti Vuçiq

Lajme

Petkoviq: Deklarata më e turpshme e BE-së mori përgjigjen që meriton nga presidenti Vuçiq

Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 01:00
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar sot se deklarata, siç e quajti ai më e turpshme e deritanishme e Bashkimit Evropian, lidhur me emërimin e Nenad Rashiqit, ka marrë përgjigjen që meriton nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

“Le të mendohet dy herë BE-ja kur mendon se po poshtëron Serbinë dhe popullin serb në Kosovë. Politika e tyre antiserbe e standardeve të dyfishta u ekspozua sonte!” – ka shkruar Petkoviq në Twitter.

Ai shtoi se askush nuk do të jetë në gjendje ta dëbojë popullin e tij nga Kosova, madje as, siç tha,  “llumrat më të këqij serb të lidhur me hochstaplerin ballkanik dhe urrejtësin e ngulët serb, Albin Kurti”.

Në mbrëmjen e së enjtes, presidenti serb, Vuçiq deklaroi se vendimi i Kurtit për emërimin e Nenad Rashiqit nuk ka marrë dënimin e merituar të BE-së.

“Emërimi i Rashiqit është i turpshëm, fjala më e butë që mund të përdoret. Ai njeri (Rashiq) fitoi më pak se një përqind në zgjedhje, ashtu si Rada Trajkoviq, e cila ishte në listën e tij. Kjo tregon se ata duan persekutimin dhe dëbimin e serbëve nga Kosova. Nuk jam i sigurt se nesër do të ketë një bisedë me komisionerin evropian pas fjalëve të mia dhe vendimeve tona ndërkohë”, tha Vuçiq për TV “Pink”.

Ai shtoi gjithashtu se nuk do të udhëtojë në Tiranë më 6 dhjetor për samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat