Phillips: Të formohet një sistem paralel i asociacionit edhe në Serbi

Lajme

Phillips: Të formohet një sistem paralel i asociacionit edhe në Serbi

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 21:21
David Phillips

Drejtori i Programit për ndërtimin e paqes në Institutin për studimin e të drejtave të njeriut, në Universitetin Columbia, David Phillips, ka komentuar për tëvë1 zhvillimet e fundit politike në Kosovë. 

Phillips, ka kërkuar trajtim te barabartë mes Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut.

Sipas tij një model i asociacionit duhet të formohet edhe në Serbi në ato pjesë ku jetojnë shqiptarët.

“Sa i përket asociacionit, duhet të zhvillohet një sistem paralel për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Preshevë si dhe në pjesë të tjera të Serbisë ku jetojnë shqiptarët. Asociacioni nuk paraqet rrezik nëse fokusohet në çështje sociale dhe ekonomike, si kujdesi shëndetësor dhe strehimi”, deklaroi Phillips.

Sa i përket tensioneve në veri të vendit ku serbët lokal kanë bllokuar rrugët, Phillips thotë se kjo çështje duhet lënë në dorën e institucioneve ndërkombëtare në mënyrë që të shmangen trazirat.

Amerikani e sheh një situate shumë të ndjeshme në veri të Kosovës.

“Kosova duhet të kërkojë që NATO të përmbushë mandatin e saj për të ruajtur paqen në veri të Kosovës. Është e rëndësishme të lihen institucionet ndërkombëtare të marrin drejtimin dhe të shmanget përshkallëzimi që mund ta përkeqësojë konfliktin”, tha Phillips.

Tutje, ai thotë se Serbia e kupton vetëm gjuhën e presionit.

“Serbia i përgjigjet vetëm presionit. Diplomacia amerikane duhet t’i bëjë të qartë Beogradit se çfarë pret, si dhe kostot që mund të vijnë si pasojë e destabilizimit të situatës”, shtoi ai.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është shprehur i bindur se brenda pak ditësh do të largohen barrikadat në veri të Mitrovicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat