Janjiq: Beogradi e legalizoi politikën e barrikadave në veri të Kosovës

Lajme

Janjiq: Beogradi e legalizoi politikën e barrikadave në veri të Kosovës

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 17:43
Dushan Janjiq

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, tha sot se Beogradi e legalizoi politikën e barrikadave në veri të Kosovës përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare, “ku lojtari më i spikatur është Aleksandar Vuçiq”, por që tani Vuçiq nuk ka kontroll mbi të gjithë njerëzit e armatosur që qëndrojnë në barrikada. “Ndikimi i Rusisë është më i madh se ndikimi i Beogradit kur bëhet fjalë për rrëshqitje të gjërave drejt konflikteve të armatosura”, ka thënë Janjiq.

Janjiq tha për agjencinë “Beta” se në barrikada ka serbë nën detyrim të punës apo politik, por edhe njerëz të armatosur dhe të maskuar të kontrolluar nga shërbime të ndryshme të sigurisë serbe dhe të huaja.

“Rojet e armatosura të barrikadave i përkasin strukturave të ndryshme të sigurisë dhe grupeve të tifozëve. Vuçiq ka ndikim dhe kontroll mbi disa prej këtyre strukturave dhe tifozëve, por mes tyre ka edhe nga ata që kanë kryer stërvitje në Perëndim apo në kampet e ‘Wagnerit’ rus dhe ndikim më të madh tek ata kanë Perëndimi dhe Moska sesa Beogradi. Vuçiq nuk mund ta kontrollojë protestën në veri të Kosovës në këtë moment, edhe pse në fund, për shkak të gabimeve që ka bërë, do të jetë përgjegjësi më i madh për pasojat që mund të dalin, ka vlerësuar Janjiq.

Sipas tij, sa më gjatë të zgjasin barrikadat, aq më pak kontroll do të ketë Beogradi mbi to.

“Gjëja më e keqe është kur shteti vjen në situatë për kontrollin e institucioneve parashtetërore përmes formacioneve parashtetërore. Ndikimi i Rusisë është më i madh se ndikimi i Beogradit kur bëhet fjalë për rrëshqitje të gjërave drejt konflikteve të armatosura. Gjithashtu, disa nga njerëzit kryesorë nga Lista Serbe janë të lidhur me shërbimet e inteligjencës britanike, disa janë të lidhur me Vuçiqin dhe një pjesë është jashtë çdo kontrolli. Situata është shumë e komplikuar dhe tashmë shumë kanë mundësi të gjuajnë të shtënat e para”, ka theksuar Janjiq.

I pyetur nëse dhe në çfarë mënyre mund të parandalohen konfliktet e mundshme të armatosura, Janjiq tha se për momentin nuk është në interesin e askujt që të ndodhë një konflikt.

Ai shtoi se braktisja e institucioneve të Kosovës nga Lista Serbe ka për pasojë një vakum institucional dhe në krijimin e një vakuumi sigurie.

“Serbët nuk kanë guxuar të dalin nga institucionet pa e plotësuar vakumin institucional dhe të sigurisë. Para së gjithash serbët nuk kanë guxuar të largohen nga të gjitha shërbimet në kuadër të Policisë së Kosovës. Beogradi nuk ka siguruar sigurinë në veri të Kosovës pas vendimit që të braktisen institucionet e Kosovës dhe ky është një gabim i madh. Për shkak të politikës së gabuar, Beogradi tani është gjetur në një rreth të mbyllur pa rrugëdalje dhe Vuçiq po përpiqet t’i kompensojë gabimet e tij duke organizuar tubime mbështetëse”, tha Janjiq.

Ai vlerësoi se as Prishtina dhe as Beogradi nuk janë përcaktuar për dialog dhe normalizim të situatës.

“Tani për tani, në konsultime me shtetet e QUINT-it, Prishtina ka vendosur të injorojë barrikadat dhe rrezikun e thellimit të vakumit të sigurisë ta zgjidh në përputhje me ligjet e Kosovës, duke plotësuar pozitat vakante në institucionet nga të cilat u larguan anëtarët e Listës Serbe”, tha Janjiq.

I pyetur se cilat janë gabimet më të mëdha nga Beogradi dhe Prishtina, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e krizës së Kosovës, Janjiq tha se politika e reciprocitetit rezultoi katastrofike.

“Politika e reciprocitetit të cilën e luajti Albin Kurti dhe të cilën Vuçiq e ekspozoi së bashku me Ana Brnabiqin, çon drejtpërdrejt në konflikt. Kjo është e njohur nga historia e Evropës, të gjitha luftërat midis kombeve evropiane kanë filluar për shkak të politikës së reciprocitetit”, theksoi Janjiq.
Sipas tij, barrikadat janë vazhdimësi e politikës së reciprocitetit.

“Në mënyrë që situata të qetësohet, Beogradi, Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar do të duhej të ndryshonin politikën e tyre, por kjo tani është e pamundur. Në bashkësinë ndërkombëtare për momentin nuk ka vetëdije të mjaftueshme që i gjithë Ballkani Perëndimor është i tronditur dhe ata nuk duan të marrin asnjë përgjegjësi. Jam i sigurt se disa anëtarë të QUINT-it do të ishin shumë të kënaqur nëse do të kishte një konflikt të armatosur në Ballkan, që rusët të gjuajnë pak, me shpresën se nuk do të përhapin luftën drejt tyre”, përfundoi Dushan Janjiq.

Grupe të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb.

Policia e Kosovës ka arrestuar Dejan Pantiqin nën dyshimet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për t’i hequr barrikadat, grupet e serbëve kërkojnë lirimin e Pantiqit.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha të enjten se KFOR-i nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Serbisë për të dërguar deri në 1.000 forca serbe në Kosovë.

“Ne presim një përgjigje për këtë kërkesë”, tha Bërnabiq për Televizionin serb Hepi.

Serbia e ka bërë këtë kërkesë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, ndërsa KFOR-i ka thënë më herët se është duke e shqyrtuar atë.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 13 dhjetor se SHBA-ja është kategorikisht kundër mundësisë së kthimit të forcave serbe në territorin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat