Drecun: Bota kuptoi se sa e fortë është rezistenca serbe në Kosovë

Lajme

Drecun: Bota kuptoi se sa e fortë është rezistenca serbe në Kosovë

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 15:01
Millovan Drecun

Ish-analisti ushtarak në shërbim të Millosheviqit, aktualisht në shërbim të Vuçiqit, Millovan Drecun, ka pretenduar se është shumë e rëndësishme që është arritur marrëveshja “që të mos ketë arrestime të serbëve që kanë qenë në protesta”, dhe sipas tij, “marrëveshja tregoi se krizën në veri të Kosovës e shkaktoi Albin Kurti me veprimet e tij të njëanshme”, raporton televizioni serb RTS.

Drecun ka pretenduar se është arritur një marrëveshje ndërmjet “Beogradit në njërën anë dhe SHBA dhe vendeve evropiane në anën tjetër, ku partnerët perëndimorë duhet të kryejnë një pjesë të punës me Prishtinën”.

Sipas Drecunit, marrëveshja është domethënëse për disa arsye, tregoi se “kërkesat e popullit serb në veri të Kosovës ishin të arsyeshme, për shkak të cilave u vendosën barrikada – arrestime joligjore, prania e njësive speciale”.

“KFOR-i ka konfirmuar se ai është atje dhe se do të punojë në bazë të mandatit që ka. Tani kemi një marrëveshje të veçantë me KFOR-in që pjesëtarët e “të ashtuquajturave forca të sigurisë” nuk mund të qëndrojnë në veri të Kosovës pa miratimin të komandantit të KFOR-it dhe “pa konsultimin e tij me kryetarët e katër komunave në veri”, ka pretenduar Drecun.

Po ashtu, Drecun thotë se EULEX-i është zotuar që të forcojë monitorimin në gjyqësor, veçanërisht në lidhje me pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në mënyrë që të kenë trajtim të barabartë.

Drecun ka pretenduar se marrëveshja e arritur është e mirë, sepse e “pengon Prishtinën të përdorë krizën aktuale kundër popullit serb dhe të vendosë një pushtim të plotë të territorit ku jetojnë serbët”.

“Kësaj radhe, të gjithë e kuptuan se çfarë kërkonin serbët dhe forcën e rezistencës serbe ndaj lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës. Forca, uniteti dhe vendosmëria e popullit ishte një element vendimtar me diplomacinë e shprehur fuqishëm të presidentit Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Drecun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat