Beogradit nuk i del inati, Brnabiç sulmon Kurtin dhe paralajmëron sërish tensione me Kosovën

Lajme

Beogradit nuk i del inati, Brnabiç sulmon Kurtin dhe paralajmëron sërish tensione me Kosovën

Më: 2 janar 2023 Në ora: 16:12
Ana Brnabiç

Serbia vijon të nxisë debate dhe tensione me Kosovën. Ndonëse Vuçiç doli me kokën ulur nga veriu, kryeministrja Ana Brnabiç ka deklaruar se konflikti i armatosur u shmang dhe paqja u ruajt vetëm falë politikës së mençur të presidentit serb.

Në një intervistë për “Tanjug”, Brnabiç paralajmëroi se në vitin 2023 pret paqëndrueshmëri të mëtejshme në Kosovë. Madje ajo ka përbë përgjegjës Albin Kurtin për situatën e krijuar.

“Viti i kaluar ishte vit i destabilitetit të krijuar nga lëvizjet e njëanshme të Albin Kurtit, vit në të cilin hapi i tij i parë ishte heqja e të drejtës së votës për serbët në Kosovë dhe Metohi dhe ndalimi i pjesëmarrjes në referendumin për sundimin e ligjit në territorin e Kosovës, dhe në këtë mënyrë jo vetëm që e shkeli Marrëveshjen e Brukselit, por praktikisht do ta shfuqizonte Marrëveshjen e Brukselit”, tha ajo.

Por duket se meraku i Beogradit është te reagimet ndërkombëtare. Gjermania dhe shumë shtete i treguan vendin Vuçiç-it dhe kjo ka irrituar kryeministren serbe. Sipas saj, vendet e QUINT-it dhe BE kanë qenë shumë të buta me Kosovën.

Gjithashtu, kryeministrja serbe theksoi se nuk mund të shpjegojë pse ka munguar përfshirja e partnerëve ndërkombëtarë për t’i dhënë fund zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe për të zbatuar atë që filloi në vitin 2013 me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

“Nuk jam e sigurt se mund të shpjegoj se si nuk arritëm ta përfundonim marrëveshjen deri në vitin 2023. Nëse do të kishim bërë, dhe nëse secili do të kishte bërë pjesën e vet, ashtu siç bënë Beogradi dhe serbët në Kosovë, do të kishte qenë një situatë krejtësisht tjetër. Fatkeqësisht, pres paqëndrueshmëri të mëtejshme në vitin 2023 dhe neve na mbetet të luftojmë për paqen, sado e vështirë të jetë”, tha kryeministrja serbe.

Ndërkohë duhet theksuar se këtë vit sfidë për Serbinë e Kosovën do të jetë plani franko-gjerman. Prishtina akuzon Beogradin se nuk e do këtë plan dhe prandaj nxit tensione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat