Janjiq: Përpjekja e Serbisë për normalizim raportesh me Kroacinë s’ndërlidhet me Kosovën, ata i kanë 3 probleme

Lajme

Janjiq: Përpjekja e Serbisë për normalizim raportesh me Kroacinë s’ndërlidhet me Kosovën, ata i kanë 3 probleme

Më: 14 janar 2023 Në ora: 15:12
Dushan Janjiq

Në një kohë tensionesh dhe bllokade në kuadër të raporteve me Kosovën dhe dialogut të Brukselit, Beogradi zyrtar ka bërë një lëvizje politike që ndërlidhen me një përpjekje për normalizim të raporteve me Kroacinë.

Për këtë me 6 janar shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq ka qëndruar për vizitë zyrtare në Zagreb dhe ka thënë se pavarësisht se çfarë ka ndodhur 30 vjet më parë, Serbia dhe Kroacia duhet të shikojnë nga e ardhmja. 

Por, a ka kjo lëvizje politike e Beogradit dhe koha kur po ndodh si e tillë ndërlidhje me situatën aktuale në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe situatën në rajon. Në një prononcim për këtë çështje ka folur analisti dhe njohësi i rrethanave politike në rajon, Dushan Janjiq. 

Janjiq ka thënë se terreni për një vizitë dhe takim të tillë ishte përgatitur dy apo tre muaj më herët dhe se nuk ndërlidhet me situatën aktuale politike dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. 

Janjiq ka thënë se kjo është çështje e raporteve bilaterale në mes të Beogradit dhe Zagrebit, që ndërlidhet me kapitullin 23 e që ka të bëjë me strategjinë për minoritetet. 

Ai thotë se është shumë e rëndësishme për shkak edhe të garancive parlamentare që Kroacia kërkon për pakicat. 

“S’ka ndonjë lidhshmëri me dialogun Kosovë-Serbi. Është i ndërlidhur me raporte bilaterale në mes të Beogradit dhe Zagrebit konkretisht Kroacisë dhe Serbisë dhe është e ndërlidhur me çështjen e integrimit evropian, konkretisht Kapitullin 23, Serbia duhet të zhvillojë strategjinë për integrimin e minoriteteve, që është shumë e rëndësishme për kërkesat që vijnë nga Kroacia për të pasur garanci parlamentare”, ka thënë Janjiq. 

Analisti serb tutje shton se arsyeja kryesore për këtë lëvizje të Serbisë drejt Kroacisë është normalizimi i raporteve në nivelin politik meqë do të duhet të zgjidhin çështjet që ndërlidhen me personat e zhdukur, dëmet e luftës dhe çështjen e kufirit.

“Arsyeja kryesore është që të provohet të normalizohen raportet në mes të Beogradit dhe Zagrebit në aspektin e nivelit të lartë politik, për çështjen e minoriteteve dhe në periudhën e ardhshme Serbia dhe Kroacia do të përballen me tri çështje shumë të rëndësishme, një është çështja e personave të zhdukur, e dyta është dëmet e luftës dhe e treta është çështja e kufirit si në rastin e Kosovës”, ka shpjeguar Janjiq. 

Ai thotë se aktualisht fokusi është në vendosje të kontaktit, meqë raportet në mes të Serbisë dhe Kroacisë kanë qenë në vazhdimësi të tensionuara.

“Në këtë moment fokusi është në vendosje të kontaktit, sepse ka qenë shumë jo-normale se si kanë komunikuar mes vete, askush s’është e i pafajshëm në këtë situatë”, shton tutje. 

Janjiq thotë se kjo s’ka qenë iniciativë e marrë vetëm nga Beogradi, por gjithashtu kërkesë e QUINT-it dhe amerikanëve duke qenë se Kroacia si shtet anëtar vendos nëse për fatin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkim Evropian.

“Unë mund të them që ideja s’ka ardhur vetëm nga Beogradi, por ishte edhe rekomandim i QUINT-it dhe amerikanëve, që rekomanduan që Serbia nëse dëshiron integrimin duhet të fillojë të mendojë për këtë, sepse Kroacia është shtet anëtar dhe vendos për fatin e anëtarësimit të Serbisë”, ka thënë Janjiq. 

Megjithatë shton se s’ka shumë pritje për një zhvillim të tillë.

“Nuk kam shumë pritje”, ka përfunduar Janjiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat