Vuçiq: Na presin vendime të vështira, ky është kushti për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës

Lajme

Vuçiq: Na presin vendime të vështira, ky është kushti për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 07:55 Përditësuar në ora: 11:46 më 02.02.2023
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit para Kuvendit të Serbisë

“A e kupton Aleksandar…?”: Vuçiq tregon se çfarë i tha pesëshja perëndimore në takim

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se e ka pranuar  më 13 dhjetor dhe më pas i shkuan për vizitë përfaqësuesit e pesë vendeve më të fuqishme të botës.

Siç tha ai në Kuvendin e Serbisë ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, më pas pasoi non-paper-i i shtatorit, të cilit Serbia i dërgoi non-paper-in e saj dhe më 13 dhjetor pasoi propozimi franko-gjerman.

Dhe pastaj përfaqësuesit e pesë vendeve më të fuqishme të botës erdhën, shtoi Vuçiq.

“A e kupton Aleksandar, ne jemi të vendosur të zgjidhim të gjitha problemet, sepse nuk duam të lejojmë përshkallëzimin e konfliktit në Ballkan”. Në fjalinë e tretë më thanë, i nderuar president, nëse nuk e pranon zbatimin e kësaj nisme, do të përballesh me pezullimin e negociatave me BE-në, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimet dhe masat tjera gjithëpërfshirëse që do të tregojnë se si kalojnë të gjithë ata që nuk janë dakord me BE-në”, tha Vuçiq, raporton Danas.

Ai shtoi se e kanë përsëritur tri herë, dhe se ai u ka thënë se ishte kërcënim. Vuçiq tha se ka qenë para dilemës që duhet t’u përgjigjet menjëherë.

Ai tha se 90 për qind e planit që doli në opinion është i saktë.

Ai po ashtu tha se testi thotë se të dyja shtetet do të udhëhiqen nga parimet e OKB-së, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin duke e konsideruar, Kosovën shtet të pavarur

Pika katër thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë institucion ndërkombëtar.

“Kundërshtohet apo jo, do të kenë shumicën për pranimin e Kosovës në NATO dhe në Këshillin e Evropës”, ​​tha Vuçiq.

Vuçiq ‘zbulon’ kushtin për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq foli për të gjitha problemet me të cilat sipas tij, po përballet populli serb në Kosovë.

Ai para deputetëve serbë tha se që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, “ka pasur një ofensivë të përgjithshme politike nga Prishtina së bashku me një pjesë të aleatëve të saj perëndimorë për të ndryshuar situatën në terren dhe për të imponuar dhunën si metodë për zgjidhjen e problemeve”.

Vuçiq foli për “pamundësinë e serbëve për të marrë pjesë në referendum dhe zgjedhje dhe mohimin e të drejtave elementare”.

Sipas tij, serbët e Kosovës kthehen nëpër institucione vetëm pas formimit të Asociacionit.

“Unë fola me muaj me njerëzit në Bruksel, me negociatorët: ‘Njerëz, ju nuk e kuptoni, njerëzit tanë nuk mund të durojnë më’. Ata thanë jo, jo, mundet, duhet. Pastaj populli mori një vendim. të largohemi nga institucionet, duke kërkuar në thelb vetëm një gjë. Vetëm të përmbushet marrëveshja e Brukselit. Pra, formoni Asociacioni dhe pas kësaj do të kthehemi në institucione”, tha Vuçiq.

Vuçiq: Nuk guxoj ta prezantoj të gjithë planin evropian

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha gjatë seancës së posaçme të Kuvendit serb se qëllimi “i ditës së sotme nuk është që përgjegjësia të bartet në këtë institucion apo te populli”.

“Qëllimi është të dal para jush dhe qytetarëve dhe sinqerisht dhe haptazi të ndaj atë që na pret dhe çfarë po përballemi”, tha Vuçiq në Kuvend.

Më 2 shkurt, Kuvendi serb po debaton për raportin e Qeverisë në Beograd lidhur me negociatat me Kosovën.

Seanca plenare po mbahet pasi presidenti i Serbisë ka pranuar propozimin nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçiq tha se nuk guxon të tregojë të gjithë planin evropian para Parlamentit, por vetëm pjesët më të këqija për Serbinë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se plani është korniza politike, momenti në të cilin ndodh gjithçka”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se ekipit diplomatëve evropianë dhe amerikanë, me të cilët ka biseduar më 20 janar në Beograd, i ka thënë se ka rezerva të mëdha për çështjen kyçe.

“Ka edhe gjëra të mira në plan, nuk do të flas për to”, shtoi ai.

Propozimi i BE-së, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Plani nuk është bërë publik, por u është prezantuar palëve.

Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Lideri serb konfirmoi se 90 për qind e asaj që është bërë publike për përmbajtjen e planit është e saktë.

“Në pikën 4, në paragrafin e dytë, shkruhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçiq tha se politika e Serbisë do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit me çdo kusht.
“Le të përmbahemi dhe të mos përgjigjemi ndaj provokimeve nëse nuk kërcënohen jetët dhe pronat e njerëzve”, theksoi ai.

Ai përmendi edhe sigurinë për serbët në Kosovë dhe tha se Beogradi do të insistojë, siç tha ai, në formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve përmes një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme. Kosova kërkon që kjo marrëveshje të përfshijë edhe njohjen reciproke, ndërsa Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi – pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.?REL

Vuçiq iu drejtohet serbëve: Na presin vendime dhe kohëra të vështira

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sot ka ardhur në Kuvend për t’u treguar qytetarëve se çfarë i pret serbët si komb dhe me çfarë po përballet Serbia.

Në fillim të seancës së posaçme të Kuvendit Popullor kushtuar Kosovës, Vuçiq tha se qëllimi i takimit të sotëm nuk është bartja e përgjegjësisë te parlamenti apo te populli në tërësi.

“Unë kurrë nuk i jam shmangur përgjegjësisë si president. Kam marrë vendimet më të vështira. Përveç një rasti, më duket se ato ishin në interesin më të mirë të popullit serb dhe qytetarëve të Serbisë. Qëllimi i sotëm është që të dalim para jush dhe qytetarëve të Serbisë si përfaqësues i të gjithë qytetarëve tanë dhe të ndajmë me ndershmëri, hapur dhe në mënyrën më të ndershme atë që na pret ne si komb, atë që po përballemi”, theksoi ai.

Vuçiq tha se sot nuk është këtu për të luftuar në asnjë fushatë zgjedhore, por për të luftuar, si në 11 vitet e kaluara, për Serbinë me forcë dhe zemër të barabartë, nëse jo më shumë, sidomos kur e sheh se si dhe në çfarë mënyre më kanë pritur në kuvend.

“Sot vij nga ndjenja e detyrës t’u them qytetarëve se çfarë po ndodh që ata të vlerësojnë vetë pasojat e veprimeve tona dhe për çfarë po luftojmë. Do të flas dhe do të vë në dukje të gjitha pikat më të këqija të të ashtuquajturës nismë franko-gjermane. Nuk do të flas për më të bukurën, por më të keqen dhe më të vështirën për Serbinë”, nënvizoi ai.

Vuçiq tha se dëshiron të jetë i përgjegjshëm dhe i respektueshëm ndaj qytetarëve, në mënyrë që ata ta dinë se qeveria, presidenti dhe Kuvendi nuk kanë asgjë për t’u fshehur.

“Do të ketë kohë për konkluzione dhe vendime, por është e rëndësishme që njerëzit ta dinë se me çfarë po përballemi”, ka theksuar ai.

Presion për Asociacionin në Kosovë - Vuçiq pritet me duartrokitje në Kuvendin e Serbisë

Sot në orën 10:00 ka nisur seanca e posaçme e Kuvendit të Serbisë për Kosovën.

Në këtë seancë po merr pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ku do të diskutohet për negociatat Prishtinë-Beograd.

Me të hyrë në Kuvend, Vuçiq u prit me duartrokitje të forta nga aëtarët e koalicionit qeverisës të cilat zgjatën disa minuta.

Në raportin e qeverisë serbe për Kosovën, thuhet se ka pasur përshkallëzim të situatës, diskriminim sistematik dhe dhunë ndaj serbëve në Kosovë.

Po ashtu, theksohet se Beogradi nuk do të heq dorë nga forimimi i Asociacionit të komunave serbe.

Një ditë më parë zyrtarë serbë, u shprehën të lumtur se presioni ndërkombëtar ka kaluar në Prishtinë për themelimin e Asociacionit. 

Kuvendi i Serbisë diskuton për Kosovën

Në Kuvendin e Serbisë, më 2 shkurt, do të mbahet seanca e posaçme parlamentare për Kosovën. Në atë seancë është ftuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Pritet që ai të flasë për rrjedhën e dialogut dhe propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Çfarë është në rendin e ditës?

Deputetëve do t’u prezantohet raporti për procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023.

Raporti është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Serbisë.

Në atë raport nuk përmendet propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Çka është plani franko-gjerman?

Plani franko-gjerman tashmë është bërë propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ky dokument ka marrë mbështetjen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky plan nuk është bërë publik, por ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022.

Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Nga e dimë që Vuçiq do të flasë për planin?

Këtë e ka konfirmuar, në Twitter, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një ndër bashkëbisedimet e tij me Boshko Obradoviqin, kreun e partisë së djathtë opozitare Dveri.

Çfarë tha Vuçiq para se të vinte në Kuvend?

Një ditë para seancës së Kuvendit të Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha se nuk beson se në seancë do të arrihet uniteti lidhur me planin për Kosovën.

Gjithashtu, ai theksoi se nuk ka afate kohore për pranimin e planit franko-gjerman.

Më herët, ai ka deklaruar se do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të deputetëve në Kuvend.

Partia Progresive Serbe e Vuçiqit, bashkë me partnerët e koalicionit, ka 159 nga 250 deputetë në Kuvend.

Çfarë ka deklaruar Vuçiq për planin franko-gjerman?

Më 20 janar, presidenti i Serbisë u takua me ekipin diplomatik evropian-amerikan në Beograd.

Pas bisedës me këtë ekip, ai deklaroi se Serbia është e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë për zbatimin e planit evropian.

Tri ditë më vonë, ai informoi opinionin se ekipi i diplomatëve i kanë thënë se, në rast se nuk e pranon planin franko-gjerman për Kosovën, Serbia do të përballej me ndalimin e integrimeve evropiane dhe investimeve, si dhe se do të rrezikohej regjimin pa viza me BE-në.

Cili është qëndrimi i opozitës pro-evropiane?

Përfaqësuesit e partive opozitare pro-evropiane në Kuvendin e Serbisë kanë thënë se, para se të vendoset nëse do ta mbështesin planin franko-gjerman, është e nevojshme që autoritetet në Serbi ta publikojnë atë.

Ata këmbëngulin që të njihen me propozimin e Brukselit për Kosovën, në mënyrë që të deklarohen për të.

Ky bllok i partive ka 51 deputetë.

Cili është qëndrimi i opozitës së djathtë?

Blloku i partive opozitare me orientim të djathtë, të përfaqësuara në Kuvendin serb, ka paralajmëruar një tubim “të madh kombëtar” kundër propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovën.

Për ta, propozimi franko-gjerman është “kapitullim” dhe “dorëzimi i Kosovës”.

Partitë e djathta opozitare në parlament, Dveri, koalicioni NADA (Shpresa) dhe Zavetnici (Të betuarit), kanë 35 deputetë.

Çfarë pritet nga Beogradi dhe Prishtina?

Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar muajt e fundit për të përfunduar këtë proces.

Për këtë qëllim, propozimi evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, iu dorëzua dy palëve.

Ekipi i diplomatëve, gjatë muajve të kaluar, ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Beogradin.

Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 po zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh.

Muajt e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve u karakterizuan me incidente dhe tensione./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat