Vuçiq flet me Michel: Serbia seriozisht po i qaset dialogut Beograd-Prishtinë

Lajme

Vuçiq flet me Michel: Serbia seriozisht po i qaset dialogut Beograd-Prishtinë

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 17:14
Aleksander Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia i qaset seriozisht dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës dhe punës së mëtutjeshme në proceset reformuese në kuadër të integrimeve evropiane.

Vuçiq ka biseduar në telefon me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel për situatën aktuale në rajon, perspektivën evropiane të Serbisë, reformat në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, shkruan N1.

Siç njoftoi Presidenca e Serbisë, Vuçiq shprehu mirënjohjen e tij për faktin se Këshilli Evropian për herë të parë miratoi konkluzionet, me të cilat kërkohet zbatimi i pakushtëzuar i obligimeve të marra në dialog, veçanërisht obligimi i Prishtinës për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Presidenti përsëriti “angazhimin e vendosur” të Serbisë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit.

Kryetari i Këshillit Evropian theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar se një qasje proaktive për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura është thelbësore për integrimin evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat