Analisti kroat: Kosova të shohë modelin kroat si OJQ për pakicën serbe në zonat e Danubit

Lajme

Analisti kroat: Kosova të shohë modelin kroat si OJQ për pakicën serbe në zonat e Danubit

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 20:19
Aleksander Vuçiq

Kosova duhet të shohë modelin kroat për pakicën serbe në zonat e Danubit, e cila funksionon shumë mirë dhe është organizim jo-qeveritar, thotë analisti kroat, Davor Gjenero, duke komentuar çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Çfarëdo organizimi që merr strukturë qeveritare, është e rrezikshme, pohon ai. “Kroacia ka institucione të këshilleve të përbashkëta komunale në zonat e Danubit, dhe është ekskluzivisht OJQ”, thotë ai, derisa shpjegon se “ata nuk kanë kompetenca shtetërore ose pozicion kushtetues në rendin kushtetues kroat”.

Përndryshe, thotë ai, “çfarëdo formimi [i këtij Asociacioni] si organizatë qeveritare, është shumë i rrezikshëm, dhe mund të përfundojë si tregimi me ‘Republika Srpska’-n në Bosnje-Hercegovinë”.

Madje, Davor Gjenero, rikujton edhe vendimin e kohëve të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës për të ashtuquajturat këshille komunale serbe,

“Mendoj se Kosova duhet të shoh institucionet në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci, ku po vendosin për zgjidhje për të ashtuquajturat Këshille Komunale Serbe. Në BeH, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që do të ishte diskriminuese që në një shoqëri pluraliste të thirret çfarëdo institucioni në emra ekskluziv nacional, dhe nuk është e mundshme të organizohet struktura ekskluzive nacionale. Pra, vetëm këshill i përbashkët komunal”, ka thënë ai.

Gjenero kishte shpjeguar se si funksionon kjo gjë në Kroaci.

“Kjo zgjidhje u pat bërë në Kroaci gjatë integrimit paqësor të zonave të Danubit. Në Kroaci funksionon për mrekulli sepse ai organizim komunash nuk është aranzhim i komunave si shtet; por si diçka e organizuar si organizatë jo-qeveritare”.

“Ato komuna nuk kanë ndofarë statusi special në lidhje me marrëdhëniet me shtetin qendror kroat, por kanë mundësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe financimin e projekteve të tyre përmes asaj Këshillit të Komunave siç quhet në Kroaci e cila është organizatë joqeveritare”, tregon ai.

Në këtë format, ai thotë se “kjo organizatë funksionon mirë gjer më sot është frytdhënëse”. Por, paralajmëron ai, çdo format përtej ose më shumë se kaq “është e rrezikshme”.

“Çfarëdo që shkon përtej ose më shumë se kjo, atëherë bëhet e rrezikshme për të dyja komunitetet; edhe për shumicën shqiptare edhe për pakicën serbe. Kjo u bë në mënyrë të gabuar në Bosnje-Hercegovinë me ‘Republika Srpska’-n”.

Analisti kroat vëmendjen e vendos kah Maqedonia e Veriut ku integrimi është bërë asisoji pa aranzhime speciale territoriale.

“Çfarëdo Asociacioni i Komunave Serbe është krejtësisht i gabuar”.

“Mendoj se Kosova duhet të ofrojë një lloj OJQ-je që do të siguronte hapësirën për bashkëpunim ndërmjet komunave me një numër të konsiderueshëm të banorëve që u përkasin pakicave, por nuk duhet të jetë si lloj organizim shtetëror por vetëm si organizatë e bazuar  në interesa të përbashkët dhe për financimin e projekteve të pëbashkëta në rajon”.

Gjenero thotë se do të ishte e gabuar edhe për vetë faktin se minoriteti serb në Kosovë është më pak se 5 përqind e popullatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat