Media serbe: Bideni këtë vit s’ia përmendi Vuçiqit njohjen e Kosovës, as Trump s’e kishte përmendur më 2020

Lajme

Media serbe: Bideni këtë vit s’ia përmendi Vuçiqit njohjen e Kosovës, as Trump s’e kishte përmendur më 2020

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 15:26
Joe Biden

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden e kishte përkrahur vendimin e Serbisë që ta mbështeste propozimin franko-gjerman (i quajtur edhe propozimi i BE-së) për normalizmin e marrëdhënieve.

Ky propozim nuk përfshin njohjen e shumëpritur nga Kosova, por në anën tjetër implikon formimin e Asociacionit dhe sipas Kurtit përfshin njohjen de fakto.

“Këtë vit, Bideni duket se po përdor një qasje më të moderuar, kështu që u ndal te normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa në vitet e kaluara, fjalët ishin të atilla që, si shtesë ndaj normalizimit, dialogu thuhej se do të rezultonte në njohje reciproke.” – shkruan Danas në një shkrim të saj.

Në letrën uruese të vitit 2021, Biden shprehej si vijon:

“Ne mbesim të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrim evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdojnë hapat e vështirë drejt arritjes së këtij qëllimi – përfshirë instituimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën me njohjen reciproke në qendër.” – thuhej në të.

Danas shkruan se edhe ish-presidenti amerikan Donald Trump shkruante vetëm për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës në letrën e tij uruese në vitin 2020. Por, megjithatë ai e përmendte një gjë të tillë në vitin 2019.

“Ndërsa iu takon palëve që të arrijnë një marrëveshje që të dyja palët e mbështesin, ne besojmë që njohja reciproke duhet të jetë element qendror për normalizim të marrëdhënieve,” – shkruante në këtë letër Trump, sipas Danasit.

Por, çka ndodhi mes viteve 2019 dhe 2020 që mund ta ketë shtyrë Trumpin ta hiqte “njohjen reciproke” nga letra? Në vjeshtë të vitit 2019 do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme qendore, e të cilat do t’i fitonte Albin Kurti i cili më pas edhe do të formonte Qeverinë Kurti I më 3 shkurt 2020.

Kurti e kishte përdorur për kohë të gjatë togfjalëshin njohje reciproke në qendër, madje edhe për ta goditur opozitën.

“Pra, dialogu dhe njohja janë vënë në raport diakronik, janë vënë të shtrira në kohë, ku njohja na vije në fund e Serbia e shtynte fundin pafundësisht. Tash kemi një zhvendosje prej kontekstualizimit kohor në atë, le të themi, hapësinor, ku njohja reciproke është në qendër të marrëveshjes dhe këtë e thonë të gjithë miqtë dhe partnerët e Republikës së Kosovës, të shtetit tonë të pavarur. Pra, marrëveshja nuk do të jetë vetëm njohja reciproke, mirëpo nuk ka marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër. Pra, jo në fund, në kuptimin e kohës, por në qendër, në kuptimin e hapësirës së gjësendeve të cilat i përfshin ajo marrëveshje”, shprehej kryeministri Kurti dikur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat